Koçiu: Rritje e mbulimit financiar për paketën higjieno-sanitare për personat para dhe tetraplegjikë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu foli sot pas mbledhjes së qeverisë për një vendim të rëndësishëm në lidhje me personat me aftësi të kufizuar, atyre para dhe tetraplegjikë.
“Dje ishte data 3 dhjetor, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, e cila na kujton që t’i ndihmojmë edhe ata që në një moment të caktuar të jetës së tyre kanë një vështirësi, apo që nuk kanë të njëjtat aftësi për të përballuar jetën e tyre. Në vazhdën e mbështetjes dhe solidaritetit, me të gjitha shtresat në nevojë për të cilat duhet mbështetje sociale, shëndetësore dhe financiare, qeveria ka vendosur sot që të rrisë masën e mbulimit financiar për paketën higjieno-sanitare për personat para dhe tetraplegjike. Një vendim i rëndësishëm për këtë target grup që është pjesë e Këshillit Kombëtar për personat me aftësi të kufizuar, me të cilët patëm një diskutim të vyer për të mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre”, tha ajo.
Ministrja Koçiu deklaroi se në vazhdën e kërkesave për më shumë mbështetje ndaj kësaj shtrese të shoqërisë, është edhe prania e figurave të reja, profesionale që asistojnë këto target grupe në të përditshmen e tyre.
“Janë plot 18 mijë kujdestarë personalë për të cilët MSHMS, është duke punuar për të lançuar figurat e reja profesionale. Ata përveç aftësimit, trajnimit, do duhet të marrin një mbështetje nga ana financiare, me pagë dhe sigurime shoqërore e shëndetësore për t’i mbështetur dhe kujdestarët personalë të personave me aftësi të kufizuar me një profesion të vërtetë. Këto vijnë në vazhdën e mbështetjes, ku buxheti 2025 që u miratua dje, vazhdon të mbështesë ombrellën sociale”.