Kodheli: Shqipëria, kontribuese e rëndësishme në NATO

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli zhvilloi një takim me Zv/Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Lejtnant Mark Schissler. Ministrja Kodheli e njohu atë me angazhimet e Shqipërisë lidhur me detyrimet karshi Aleancës.

Të dy bashkëbiseduesit folën për zhvillimet e fundit në kufijtë lindorë dhe jugorë të Aleancës dhe ndanë mendimin se Shqipëria është një kontribuese e rëndësishme në këto përpjekje të përbashkëta.

 

Ka një besim të plotë dhe të palëkundur mes partnerëve për të vazhduar në rrugën e nisur në angazhimin për të vendosur sigurinë.

 

Duke u ndalur tek zhvillimet në rajon, znj. Kodheli tha se nuk mund të vazhdojë të ketë një zonë gri mes Aleancës, ajo duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Sipas Ministres së Mbrojtjes, këtu po përqëndrohet dhe ndikimi negativ që vjen nga lindja dhe nga jugu, ndaj ne duhet të bëjmë sa më shumë që të rrisim sigurinë e rajonit dhe Aleancës.

 

Zv. kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Lejtnant Schissler zhvilloi një takim edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo. Gjeneralmajor Jeronim Bazo gjithashtu shprehu vullnetin e lidershipit politiko-ushtarak për të qenë krah për krah vendeve aleate në operacionet e NATO-s. Ky vullnet shprehet më së miri me vazhdimin e kontributit me forca në misionin e ri “Resolute Support” në Afganistan si dhe vijimin në misionin KFOR. Më herët, Gjeneral Schissler ka patur takime edhe me Zv/Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë z. Niko Peleshi.

SHKARKO APP