Kodi Penal, ashpërsohen dënimet për goditjen ndaj bluzave të bardha
Qeveria po punon për një paketë me disa ndryshime në Kodin Penal, të cilat ashpërsojnë dënimet për një sërë veprash duke hequr alternativën e dënimit me gjobë. Sipas draftit, personat që godasin mjekët ose punonjësit në detyrë shtetërore do të dënohen automatikisht me 1 deri në 5 vite burg.
Në kodin aktual, goditja e punonjësve të shëndetësisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Por me ndryshimet e reja, çdo goditje ndaj bluzave të bardha do të ndëshkohet automatikisht me burgim, i cili në varësi të rrethanave do të variojnë nga 1 deri në 5 vjet. Paralelisht, ndryshimet në Kodin Penal heqin konceptin e mjekimit të pakujdesshëm duke e zëvendësuar atë me neglizhencën në trajtimin mjekësor.
Sipas draftit, kur konstatohet neglizhencë në trajtimin mjekësor, që ka rrezikuar jetën e pacientit apo ka lënë pasoja në shëndetin e tij, mjeku përgjegjës do të dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Ndërsa kur neglizhenca ka shkaktuar humbjen e jetës së pacientit atëherë punonjësi i shëndetësisë dënohet automatikisht me burgim deri në katër vjet, pa alternativë gjobë siç është sot. Ka raste kur kjo e fundit mund të shkojë deri në shtatë vjet.
“Neglizhenca në trajtimin mjekësor të të sëmurëve, nga ana e profesionistit shëndetësor ose personelit ndihmës, kur ka shkaktuar vdekjen e personit, dënohet me burgim deri në katër vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektimin e të sëmurëve me infeksionin HIV/AIDS, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.”, përcaktohet në draft.
Për punonjësit e tjerë të shtetit goditja në detyrë do të dënohet me burg nga 1 deri në 3 vjet, ndërsa kur kjo vepër kryhet ndaj funksionarëve të zgjedhur atëherë dënimi me burg varion nga 1 deri në 5 vjet. I njëjti ndryshim ndodh edhe për veprën e kanosjes për shkak të detyrës. Aktualisht dënimi për këtë vepër është gjobë deri në 2 vjet burg, por në draftin e ri hiqet gjobat dhe kanosja për shkak të detyrës dënohet automatikisht me burg nga 1 deri në tre vjet.
KOHA JONË SONDAZH

