”Koha e Enver Hoxhës kishte të mira”, Luljeta Bozo: S’jam penduar, thashë një të vërtetë
Inxhinierja Luljeta Bozo, e cila është kandidate për deputete e PS-së në listën e Tiranës, tërheqoi mjaft vëmendje mediatike me një deklaratë të bërë lidhur me komunizmin në Shqipëri. Bozo duke sqaruar se nuk është anëtare e asnjë partie politike dhe kandidon si profesioniste e lirë, gjatë intervistës për ”Euronews Albania”, inxhinierja e njohur theksoi se komunizmi ka pasur tre probleme të mëdha duke renditur mbylljen e vendit, internimet dhe krijimin e kooperativave.
“Unë e kam thënë qartë qëndrimin tim, nuk jam penduar për atë deklaratë pasi reagimet ishin keqkuptime. Pse nuk e morën të gjithë frazën. Ai sistem ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta, siç ka çdo sistem. Morën vetëm pjesë e të mirave, pse nuk thanë dhe pjesën e të këqijave që ua thash, që janë shumë por unë tre kisha klasifikuar.
Që ishin mbyllja hermetike, që nuk të lejon të zhvillohesh, lufta e pamend e klasave ku për një fjalë ishte neni për agjitacion dhe propagandë që të fuste brenda dhe nuk të fuste vetëm ty por e hante e gjithë familja, domethënë ishte një tmerr i vërtetë.
Dhe e fundit që iu dha derma sektorit më jetik që ishte në Shqipëri, bujqësia me të cilën jetonte 60% e popullsisë, ku iu mor edhe ai oborri i shtëpisë fshatarit dhe fshatari vinte të blinte vezë në qytet. Këto ishin tre dhe i dënove krimet e komunizmit dhe u thash hapni dosjet, nuk kam asnjë problem”, deklaroi Bozo.