Kohë kokaine, Çekja i ndaluar në Kolumbi për trafik droge
Porositësi kryesor i bananeve dhe i 613 kilogramëve kokainë Arbër Çekaj rezulton se ka qenë dhe vetë disa herë në Kolumbi. Policia thotë se nga viti 2012 kur hapi biznesin e deri mbrëmjen e 27 shkurtit të këtij viti, Arbër Çekaj, ishte verifikuar dhe ndaluar disa herë nga autoritetet e policisë kolumbiane, pas dyshimeve për trafik droge. Megjithatë, pas kontrolleve të kontenierëve të kompanisë së tij, nuk është gjetur drogë. Të vetmit të arrestuar janë ata që e shoqëruan ngarkesën të cilët do të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda si të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri i “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj, ndërsa Çekaj ndodhet në arrati për të njëjtën vepër. Nën hetim është edhe kompania e transportit “Pelikan Transport”. Ajo që dihet është se një sasi kaq e madhe nuk mund të jetë për tregun e brendshëm.
Dosja
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dosjen në të cilën thuhet se hetimi për kokainën është regjistruar në datën 27, pikërisht ditën kur automjeti bashkë me kontenierin ka dalë nga kalata për tu zhdoganuar, pra pak orë përpara se të zhvillohej operacioni antidrogë. Pasi mjeti dhe kontenieri kanë qëndruar në port për 19 ditë, shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri i “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj janë paraqitur për të kryer zhdoganimin. Ky proces ka zgjatur katër orë, ku dhe është konstatuar nga hetimi doganor shqiptar që ka njoftuar menjëherë autoritetet për dyshimet. Drejtuesit e operacionit të Prokurorisë dhe Policisë së shtetit kanë vendosur gjatë kësaj kohe që ta mbajnë nën vëzhgim mjetin për të parë se ku do të dorëzohej ngarkesa e kokainës. Ajo çfarë është parë nga skanimi tregojnë pjestarë të grupit të hetimit është shtresa e dyfishtë e salduar mes ngarkesës së bananeve dhe drogës.
Vëzhgimi
Pas jehonës ndërkombëtare që mori operacioni i autoriteteve vendase për kapjen e 613 kg kokainë, “shuhet” nga puna në terren. Sasia e konsiderueshme e kokainës që u zbulua në portin e Durrësit, u bë pa asnjë hetim proaktiv. Mbajtja nën vëzhgim e ngarkesës dhe zbulimi i personave të interesuar, përveç atyre që presin mallin, janë çelësi i suksesit për të shkuar tek porositësit e vërtetë të lëndës narkotike. Por kjo nuk ndodhi, me shumë gjasa për mungesë të kapaciteteve njerëzore. Prokuroria ka insistuar dhe nuk ka lejuar që kontenieri me kokainë të hapej në Portin e Durrësit, por të mbahej nën vëzhgim me qëllim zbulimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Por u dorëzua, duke bllokuar lëndën narkotike pas mbërritjes në magazinat e firmës.
Intervista me Arbër Çekaj
Pronari i kompanisë “Arbri Garden”, i shpallur në kërkim, ka thënë se do të vij në Shqipëri. Për ”News 24″, Arbër Çekaj është shprehur se s’ka lidhje me politikën.
A prisni më kontejner ?
Në javë porosis 4-5 kontejner me banane.
Ju e dini kush e ka ngarkuar drogën?
Nëse do e dija do isha njeriu më i zgjuar.
Po si është ngarkuar?
Dihet që në Kolumbi ka probleme me drogën. Unë di të them vetëm një gjë, se kontejneri nuk është ngarkuar për tek unë. Frutat janë ngarkuar për ”Arbi-Garden” s’kanë lidhje me drogën.
Ju thatë se jeni nisur drejt Shqipërisë? Kur u larguat?
Më thanë se jam arratisur. Nuk arratisem me gruan time. Kam ikur nga Shqipëria dhe jo nga Rinasi. Jetoj në Shqipëri. Arsyeja ime është familjare dhe do kthehem. Jam larguar për në Gjermani nga dita e shtunë. Dhe jo nga Rinasi. Ju kërkoj publikisht juve dhe kolegëve tuaj, mos përhapi lajme për një familje të ndershme.
Kur mendoni të ktheheni, pse pritët kaq gjatë për të reaguar?
Në momentin që kam dëgjuar lajmin, kam prerë biletën. Kam dëgjuar politikanët shqiptarë që thonë; ky është i PD, i këtij, i atij. Jam tropojan, por as armën s’di ta përdor, s’kam lidhje politike. Do zbardhet e vërteta. Skam pasur kurrë probleme me autoritete gjermane, e as me ato shqiptare. Unë lëviz nga Kosova sepse bileta është më e lirë. Unë kam udhëtuar në Dyseldorf. Do kthehem nga Kosova për në Shqipëri. Po thuhen shumë të pavërteta. Bravo u qoftë atyre që kapën drogën, jam shumë i lumtur që u kap droga. Por s’duhen të bëhen gjëra pa pasur fakte. S’mbaj dot të pavërteta.
Jeni i gatshëm të shkoni në prokurori?
Jam i gatshëm që të shkojë kudo. Kam kapur një avokat në Gjermani për të drejtat civile. Nuk jam as i krahut të majtë e as të djathtë, jemi një familje e thjesht. S’kam vila e as saraje. Jetoj me babain në Sauk. Jam një qytetar i thjesht që nuk jam dënuar as me një gjobë dhe asgjë në Gjermani.
Kur do ktheheni?
Do isha shumë shpejt në Tiranë po të mos bëhej gjithë kjo. Do vij shumë shpejt këto ditë, sapo të më thotë avokati në Gjermani. Do arrestohem patjetër. Po bëhet show politik. Policia fare mirë mund ta bënte një gjë, që ta linte të shkarkoheshin paletat dhe të shihte se ku do shkonte droga. Do e shihte nëse ishte për Shqipërinë apo jo. Aty do t’i gjente trafikantët. Por ajo e dinte se s’do i gjente aty trafikantët, dhe për fat të keq kjo është Shqipëria jonë. E vërteta do dalin pasi janë BE dhe Gjermanët, avokatët dhe jo vetëm Shteti Shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH

