Koka: I mirëkuptoj protestat për mbetjet
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka shprehu sot shqetësimin për riciklimin e mbetjeve spitalore, ndërsa theksoi se situata në bregun shqiptar kryesisht në ultësirat nga Lezha deri në Vlorë është situatë e rënduar, për shkak të mbetjeve të ceofonit.
Gjatë fjalës së mbajtur përpara disa kryebashkiakëve dhe përfaqësuesve të kompanive të riciklimit, ministri i Mjedisit tha se duhen mirëkuptuar protestat e shoqërisë civile. Sipas tij, në 25 vite mbeturinat janë hedhur nëpër lumenj, ndërsa po punohet intensivisht për landfilldet ku shumë bashki të vendit do të mund të përfitojnë nëpërmjet ricilikimit të mbetjeve.
“Gjendur në këtë situatë të rënduar, qoftë si anëtar i kabinetit, qoftë si shqiptar, kam thënë sa mirë do të ishte sikur të gjenim qetësinë ta dëgjonim njëri-tjetrin për të bërë zgjedhjet e duhura. Po përballemi realisht me situatën. Reagimin e shoqërisë civile e kam mirëkuptuar dhe e quaj të drejtë. Ata janë të rënduar nga situata e trashëguar dhe jo nga ajo çka ne po bëjmë sot. Të gjithë e dimë që kishte 380 komuna dhe mbi 100 prej tyre nuk kishin as fusha depozitimi dhe fushat e tyre ishin shtretërit e lumenjve dhe përfundimi deti Adriatik. Bëhet fjalë për një ligj që deri në vitin 2010 nuk ka ekzistuar. Industria është ndërtuar që në vitin 1992 dhe përgjatë gjithë kësaj periudhe të gjithë së bashku kemi heshtur. Jemi përballur me të vërtetë. Nëse do ta shihnim veten transitor në politikë, sigurisht mund të bënim të njëjtën gjë si paraardhësit. Mbetjet do të ishin atje, njerëzit do të ishin këtu. Kërkuam të përballemi. Në rastin në fjalë, qeveria shqiptare dhe bashkitë e konsiderojnë industrinë e riciklimit partnerë. Më vjen shumë keq, që qoftë nga një pjesë e ligjvënësve shqiptarë, qoftë nga një pjesë e shoqërisë shqiptare nuk ka gjetur përkrahjen e duhur. Në vendet e Evropës, sipërmarrje të tilla janë të subvencionuara. Mbetjet e riciklueshme nuk konsiderohen produkt në vetvete fitimprurës, ndaj iniciativa juaj ka qenë sinqerisht një aventurë ku ju shtua tashmë edhe reagimi i shoqërisë civile, të cilët ne nuk duhet t’i keqkuptojmë”, tha ai.
Ministri i Mjedisit deklaroi se shumë shpejt pjesa më e madhe e Shqipërisë do të trajtojë mbetjet, përfshirë qytetet e mëdha si Elbasani, Tirana, Vlora, Fieri dhe Korça.
KOHA JONË SONDAZH

