Kokaina në Portin e Durrësit, menaxheri i kompanisë: Porositëm vetëm banane

Policia ka vënë në pranga vetëm një person lidhur me sasinë e kokainës të sekuestruar ditën e djeshme në Portin e Durrësit.

I arrestuari Bajron Gumeni ka mohuar të ketë lidhje me trafikun e drogës nga Amerika latine drejt Shqipërisë përmes kontejnerëve me banane.

Menaxheri i firmës që importon banane, ka thënë para autoriteteve se se ishte paraqitur në port për të tërhequr konteinerin, të cilin e kishte porositur firma e tij në Ekuador.

34-vjeçari ka pretenduar se sasia prej rreth 12 kg kokainë është vendosur nga persona të tjerë në pjesën e jashtme të konteinerit.

Kjo sipas tij konfirmohet edhe nga policia, që sasinë e drogës e ka gjetur në pjesën frigoriferike, pranë impiantit të kondicionerit të ambalazhuar në 14 pako.

Për grupin hetimor nevojitet dhe dëshmia e administratorit të firmës Eduart Dauti, i cili është shpallur në kërkim. Aktualisht ai ndodhet në Francë, pasi është larguar nga Shqipëria rreth një javë më parë në rrugë të ligjshme.

Policia e Shtetit i ka dhënë afat 72 orë 50-vjeçarit për t’u paraqitur dhe për të dhënë dëshminë e tij. Hetuesit kërkojnë që deklaratat e dhëna publikisht, Dauti t’’i japë dhe para grupit hetimor. Sipas burimeve, në rast se nuk paraqitet, ai do të shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Sipas informacioneve, ngarkesa ishte nisur më 8 Korrik nga Porti i Pireut dhe ka mbërritur në Porin e Durrësit në 11 Korrik.

SHKARKO APP