Kokëdhima godet me gazetën e tij

“Mafia e plehrave përçan PS-në”. Me këtë titull u hap këtë të martë gazeta “Shekulli” e ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima. Ai njihet si një kundërshtar i hershëm i ligjeve për importin e mbetjeve dhe rikthimi i një ligji të tillë nuk e ka lënë indiferent ish-mikun e kryeministrit Rama. Titulli i fortë i gazetës “Shekulli” ka në brendësi një shkrim të gjatë ku përshkruhen me detaje sherret në grupin parlamentar të PS-së mes Arta Dades dhe Eduard Shalsit që mbronte ndryshimin e ligjit. “Mbledhja e grupit socialist ditën e hënë është shoqëruar me debate mes deputetëve nismëtarë të projektligjit dhe Arta Dade e Valentina Leskaj. Socialistet kanë kërkuar më tepër transparencë dhe informacion për projektligjin, i cili në vitin 2013 u anulua nga qeveria e majtë me të ardhur në pushtet”- shkruan “Shekulli”.

Gazeta thotë se në mbledhjen e grupit socialist ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar se vendimi i qeverisë në vitin 2013 për anulimin e ligjit për importin dhe riciklimin e mbetjeve ka qenë i drejtë, pasi asokohe vendi nuk kishte kushtet për procese të tilla. Rama ka mbështetur nismën e tre deputetëve, duke thënë se sot kushtet kanë ndryshuar dhe garancia e siguria për mbrojtjen e mjedisit janë rritur. Kreu i qeverisë ka thënë se me vendimin e Këshillit të Ministrave do të përcaktohet lista e mbetjeve jo të rrezikshme që do të futen në territorin shqiptar, duke e bërë sipas tij një proces të kontrolluar.

Pasditen e së hënës u zhvillua edhe një mbledhje e kryesisë së partisë ku megjithëse është ende anëtar ish-deputeti Koço Kokëdhima nuk mori pjesë. Ndërkohë që brenda selisë rozë zhvillohej takimi, jashtë mjediseve të saj u zhvillua protesta e përfaqësuesve të shoqërisë civile kundër projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ata i bënë thirrje kryeministrit Rama që të tërheqë nismën ose në të kundërt do të përballet me të njëjtat valë protestash si në vitin 2011. Ata vunë në sfond edhe një fjalim të Ramës në vitin 2011, asokohe më opozitë, kur bënte thirrje për protesta kundër ligjit që sipas tij kishte lidhje me mafien e plehrave.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?