Kokëdhima: PD po tradhëton përsëri kauzën e zgjedhjeve të lira

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, denoncoi pazaret që po bëjnë PS dhe PD për reformën zgjedhore, në emër të partive të tjera. Ai kërkoi që PD-ja të mos bëhet pjesë e pazareve, por bashkë me PS-në të pranojnë një tryezë të gjerë, ku të jenë të pranishme edhe partitë e tjera mbikqyrësit e OSBE.ODIHR-it.

Deklarata e Koço Kokëdhimës:

Partia “Zgjidhja” ndjek me vigjilencë angazhimin e spektrit politik në realizimin e reformës së shumëpritur zgjedhore gjithëpërfshirëse. Në zgjedhje, vendore dhe të përgjithshme, nuk marrin pjesë vetëm dy, por të gjitha partitë. Dy partitë e vjetra, PD-ja dhe PS-ja, që prej një çerek shekulli, e kanë monopolizuar reformën zgjedhore. Askush nuk ua ka dhënë tagrin të negociojnë në emër të të gjitha partive politike.

Swiss Digital Desktop Reklama

ZGJIDHJA denoncon konfuzionin e pashoq që po shoqëron negociatat pa mandat, midis PS-së dhe PD-së në kuadrin e reformës zgjedhore. Në mungesë të të tretëve, në këto negociata, secila palë i vesh palës tjetër deklarata që pala tjetër mohon t’i ketë bërë. Synimi i tyre i vetëm është pikërisht që të fitohet kohë dhe mos të bëhet asnjë reformë zgjedhore në këtë vend. Shembulli i ditëve të fundit është domethënës për këtë. Negociatori i PS-së për reformën zgjedhore, ish-ministri Bledi Çuçi, ka deklaruar se pala tjetër, Partia Demokratike ka hequr dorë nga kërkesa e opozitës për votim elektronik në zgjedhje. Është kundërpërgjigjur menjëherë partia e z Basha për ta cilësuar si mashtrim deklaratën e PS-së. ZGJIDHJA kërkon që t’u jepet fund sa më parë këtyre lojërave të ulëta me dosjen më të rëndësishme të shqiptarëve, siç janë zgjedhjet.

Swiss Digital Mobile Reklama

ZGJIDHJA, e regjistruar legalisht si subjekt politik që ka të drejtën të marrë pjesë në zgjedhje, kërkon që të jetë pjesë e tryezës së bisedimeve të reformës zgjedhore. Asnjë subjekt tjetër, e aq më pak dy partitë që kanë vjedhur sistematikisht zgjedhjet, nuk mund të vendosin në emrin tonë nëse do të ketë apo jo votë elektronike, si do të organizohet procesi i votimit dhe ai i numërimit të votave të shqiptarëve. U bëjmë thirrje të gjitha partive të tjera, që t’i bashkohen kërkesës sonë për të zgjeruar tryezën e bisedimeve të reformës zgjedhore. Kemi të gjithë të drejtën legjitime të përfaqësohemi vetë në këtë tryezë. Kërkojmë po ashtu praninë e një përfaqësuesi të OSBE/ ODHIR-it në çdo raund të negociatave, si garancia e vetme për mbarëvajtjen korrekte të negociatave për reformën zgjedhore. Partia “Zgjidhja” denoncon po ashtu kontradiktën e thellë ku ka hyrë Partia Demokratike dhe lideri i saj. Nga njëra anë, kjo parti nuk ngurron t’u shtrijë dorën gjithë forcave opozitare për të mbushur sheshet me “protesta” kundër qeverisë dhe nga ana tjetër, kur është fjala për të negociuar me këtë qeveri, siç është rasti i reformës zgjedhore, Parita Demokratike preferon të jetë e vetme.

ZGJIDHJA e ka denoncuar Partinë Demokratike për kulisa, bashkëpunim të fshehtë me PS-në dhe për mbajtjen peng të zgjedhjeve dhe bashkë me to edhe të vendit. Të gjithë duan të shikojnë se sa e gatshme është PD-ja e Bashës të heqë dorë nga zgjedhjet e manipuluara, të vjedhura, të blera dhe të deformuara që instaluan në Shqipëri dhe mbajnë gjallë PD-ja dhe PS-ja! Prova më e qartë për këtë është se sa e gatshme do jetë PD-ja të hapë tryezën e bisedimeve të reformës zgjedhore për të gjitha partitë opozitare. Partia Socialiste këmbëngul që të ketë vetëm një interlokutor dhe të vazhdojë të ruajë marrëveshjen e fshehtë me PD-në për të mbajtur dhe ndarë pushtetin në tavolinë. Partia Demokratike ta braktisë tryezën e mbyllur të negociatave të reformës zgjedhore. Vetëm të bashkuar përballë mafias politike të Rilindjes, do të arrijmë ta gjunjëzojmë atë dhe t’i diktojmë Edi Ramës një reformë zgjedhore që të respektojë të drejtën më themelore të njeriut, atë për një votë të lirë e të ndershme. PD-ja e Bashës duket se nuk po ndjek këtë kurs. Po bëhet çdo ditë dhe më e qartë se opozita e saj është një farsë! Partia Demokratike po e tradhëton luftën e popullit shqiptar dhe aspiratën e tij për të pastruar përfundimisht zgjedhjet dhe për të bërë hapin vendimtar që do ta ndante Shqipërinë nga dështimet e mëdha të këtyre 25 viteve. Ne duam që t’ia bëjmë shumë të qartë PD-së se kjo do jetë fatale për të, ajo dhe zoti Basha do dalin të humbur nga kjo marrëveshje me Rilindjen! Bashkohuni me “Zgjidhja”-n për të shpëtuar lirinë dhe dinjitetin tuaj, për të mbrojtur jetën tuaj dhe për një të ardhme të lumtur në vendin tuaj!

#ZgjidhjaPërReformënZgjedhore

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?