Kokëdhima: Rama do e përdorë policinë kundër opozitës. T’i themi jo shtetit paralel
Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima e cilëson të rrezikshëm ligjin e qeverisë “Rama” që lejon përgjimet nga policia, pa lejen e prokurorisë.
Në një reagim publik, Kokëdhima thotë se përgjimi dhe mbikëqyrja e policisë, pa leje nga institucionet e drejtësisë e kthen Shqipërinë në një shtet policor që kontrollohet nga Edi Rama.
“Neni 131 i ligjit të Policisë së Shtetit parashikon që policia për zbulimin e një vepre penale apo veprimtarie kriminale duhet të marrë autorizimin e prokurorisë për të përgjuar ambientet, bisedat telefonike apo pajisjet për fotografim, regjistrim audio apo video. Por qeveria synon t’ia japë këtë të fuqi antiligjore automatikisht policisë, pa patur nevojën e një autorizimi nga ana e prokurorisë. Për më tepër policisë do t’i jepet e drejta të bëjë mbikëqyrje të fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive që konsiderohen kriminale dhe Agjencia e Administrimit të Pronave të sekuestruara dhe Konfiskuara, i hiqet Ministrisë së Financave për t’i kaluar nën varësi të Ministrisë së Brendshme”,- shprehet Koço Kokëdhima.
Ish-aleati i Edi Ramës thotë se kryeministri po ndërton një shtet paralel ku policia ka në dorë dhe organet më të larta të drejtësisë. “Partia ‘Zgjidhja’ deklaron se KÇK-ja rrezikon të bëhet shteti paralel ku ligjin do ta bëjë Rama përmes policisë sekrete, duke vendosur regjimin policor mbi organet e drejtësisë dhe duke minuar Reformën në Drejtësi të mbështetur nga miqtë e Shqipërisë. Ashtu si edhe Berisha më parë, Rama do ta përdorë policinë e tij jo kundër ekspionentëve të krimit, por kundër zërave të shumtë opozitarë dhe kritikë me qeverisjen e korruptuar dhe të paaftë”,- deklaron Koço Kokëdhima.