Kokëdhima: Të ndalohen fondet e fshehta që vijnë nga jashtë për komunitetet fetare!
Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima ka kërkuar sot nga qeveria shqiptare që të bëjë transparencë për fondet e komuniteteve fetare që merren nga jashtë, pas informacioneve se ministria greke bënte pagesa sekrete për kishën ortodokse.
“Zgjidhja” ngre pyetjet “përse jepen këto para, që të mos bëhen meshat në gjuhën shqipe? Që të ndryshojë statuti i Kishës Autoqefale që ka lënë trashëgim Fan Noli?”
Mandej në reagimin e partisë së drejtuar nga Kokëdhima theksohet se “sigurisht, nuk jemi në mesjetë dhe nuk presim që kisha greke të vrasë dhe helmojë si dikur rilindësit e gjuhës shqipe, por diçka që jepet në mënyrë të fshehtë, nuk ka qëllime të mira”.
Në fund të deklaratës kërkohet që të shpallen “non grata” priftërinjtë e huaj që nuk i shërbejnë Shqipërisë dhe që nuk e duan gjuhën shqipe.
Reagimi i partisë Zgjidhja për financimet greke
Të mos lejohet helmimi me fonde sekrete i komuniteteve fetare! Nën dritën e informacioneve të fundit që vijnë nga Greqia, ku mësohet se ministria e Jashtme e vendit fqinjë bënte pagesa sekrete për kishën ortodokse, Qeveria shqiptare duhet të bëjë transparencë për fondet e komuniteteve fetare që merren nga jashtë. Ka ardhur koha që të dihet saktë se kush bëjnë dhurata e financime të fshehta dhe të zbardhen qëllimet. Dihet dëmi që iu shkaktua shqiptarëve, pasi u mbyllën sytë para fondeve arabe që për një kohë të shkurtër e mbushën vendin me minare dhe krijuan celula ekstremistësh që kur erdhi koha, morën armët dhe luftuan nën flamujt e ISIS, të terroristëve të Irakut dhe të Sirisë.
KOHA JONË SONDAZH

