Kolegji Zgjedhor rrëzon KQZ-në, partia e Arlind Qorit regjistrohet në zgjedhje
Kolegji Zgjedhor ka urdhëruar KQZ-në që të regjistrojë në zgjedhjet lokale të 14 Majit partinë Lëvizja Bashkë të Arlind Qorit, duke rrëzuar vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi.
Vendimi është marrë sot në seancën e mbajtur në orën 15:00 nga Kolegji Zgjedhor. Në këtë seancë u vendos rrëzimi i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos regjistrimin e partisë në fjalë në zgjedhje dhe detyrimin e KQZ-së për zbatimin e këtij vendimi.
Arlind Qori e ka konsideruar si një surprizë për të vendimin e Kolegjit Zgjedhor, teksa e konsideron vendimin si një fitore për demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Kandidati i partisë “Lëvizja Bashkë” për Bashkinë e Tiranës do të jetë vetë Arlind Qori, i cili i shtohet garës me Erion Veliajn dhe Belind Këlliçin, teksa grupi që mbështet Enkelejd Alibeajn nuk ka ende një emër.