Komandanti i shqiptarëve në ISIS lëshon urdhër për vrasjen e atyre që ndihmuan kthimin e Erion Zenës

Ai kërkon në veçanti kokën e xhihadistit Fitim Lladrovci, të cilin e ka shpallë ish-mysliman, një thirrje për ta vrarë çdo myslimanë që e takon atë.  Imami kosovar, Ridvan Haqifi që komandon xhihadistët shqiptarë në kuadër të organizatës terroriste Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit (ISIS) ka dhënë urdhër që të ekzekutohen të gjithë ata që ndihmuan në aksionin e inteligjencës për nxjerrjen nga Siria të Erion Zenës, fëmijës që ishte grabitur nga baba i tij, terroristi Arben Zena.

Këtë urdhër Ridvan Haqifi, i njohur si “Ridvan El-Albani”, e ka shpërlarë tek xhihadistët e përfshirë në konfliktin sektarë në Siri e Irak, por edhe tek pasuesit tyre jashtë trevat të konfliktit, përfshirë edhe ata në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.  Urdhri, i shpërndarë përmes grupeve të mbyllura në rrjetet sociale, që është praktika e re e komunikimit të xhihadistëve, është i qartë: të vritet si i dalë nga feja, “Murted”, gjithsecili që ndihmoi në këtë aksion, detajet e të cilit i ka sjell ditë më parë Express në një analizë.

“Murtedi” (ish-myslimani), sipas mësimeve islamelejohet që të vriten dhe për këtë përdoren si fakt të gjitha burime e së drejtës islame. Komandanti i shqiptarëve në ISIS, Ridvan Haqifi (që zëvendësoi në komandë terroristin Lavdrim Muhaxherin), siç ka raportuar Express, është një imam i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe një nxënës speciale (talebe) i imamit tjetër të BIK’ut, Zekirja Qazimi i arrestuar për rekrutim të xhihadistëve.

Ky imam ka dhënë edhe një emër konkret se kush duhet të vritet. “Ridvan El-Albani” kërkon kokën e xhihadistit nga Drenica, Fitim Lladrovici, për të cilin beson që ka qen i përfshirë drejtpërdrejtë në operacionin sekret me ane të të cilit u soll te nëna e tij fëmija Erion Zena.  Burime të Express brenda inteligjencës kosovare që ka qenë e përfshirë në këtë aksion kanë bërë me dije se ky xhihadistë nuk ka qenë i përfshirë në këtë aksion, pasi që ai nuk ka operuar në zonën nga ku është nxjerrë Erioni.

Fitim Lladrovci nga fshati Gllanasells i Drenasit në dhjetor të vitit 2013, së bashku me Nexhdet Berishën kishte udhëtuar për në Turqi e pastaj nga aty kishte kaluar në Siri. Lladrovci ishte rikthyer në Kosovë përmes aeroportit “Adem Jashari” po atë muaj.Në kthimin e tij ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që në shtëpinë e tij ishte gjetur një Zoll (raketë dore) me një maskë të shkruar në gjuhën arabe, mirëpo ishte liruar, pasi që është futur në procedurë të rregullt. Që prej lirimit të tij, ai kishte vazhduar propagandën e tij, e cila bënte thirrje për përkrahje dhe bashkëngjitje në luftën e Sirisë përmes faqes zyrtare të “Facebook”-ut.

Në muajin maj të vitit 2014 Lladrovci kishte kaluar pikën kufitare Kulla për në Mal të Zi dhe prej atje kishte fluturuar në Stamboll dhe më pastaj sërish në xhihad në Siri. Më vonë, ai ishte paraqitur vullnetarisht për të kryer “amelije”- sulm kamikaz, por nuk arriti që ta bënte këtë, ani pse i kishte përshëndetur të gjithë ndjekësit e tij në Facebook publikisht kur u nis për mision. Express kishte raportuar kohë më parë se në ISIS, kur kjo organizatë shpalli si “Kalifati Islam” tokat e okupuar në Siri e Irak, po përgatiteshin sulmues kamikazë për Kosovë e Shqipëri.  Ndryshe, grabitja e Erionit nga e ëma, siç ka shkruar Express, është bërë në kuadër të lëvizjes xhihadiste të organizuar në Kosovë për dërgim të luftërave kosovarë në kampet e ISIS-it dhe krahut zyrtarë të AL-Kaida’së në Siri, Xhabhatu Al-Nusra.

 

Të dhëna të vjetra të OSBE’së dhe CIA’së thonë se në Siri e Irak, si xhihadistë, janë përfshirë mbi 150 kosovarë, derisa numri mund të jetë edhe më i madh, pasi që disa prej tyre, sikurse Arben Zena qenë kthyer dhe kishin marrë familjet e tyre edhe para se El-Bagdadi të lëshonte thirrjen e tij në ditën e parë të “Ramazanit 2014” për “hixhret” në shtetin e tij të ISIS’it (“hixhreti” është shpërngulja e shenjtë për tu bashkuar në një shtet, në shtetin e Profetit Muhamed – sipas historisë islame).

Për ekzistimin e një lëvizjeje xhihadiste në Kosovë edhe Prokuroria e Shtetit ka nisur disa hetime anti-terrorizëm. Deri tash janë futur në procedura penale afro 100 kosovarë, nga xhihadistë të kthyer nga lufta në Siri e Irak e deri imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) si dhe politikanë. Në vetëm një aksion Prokuroria pati arrestuar 40 kosovarë nga një grup prej 57 personash për të cilët pati lëshuar fletë-arrest për pjesëmarrje në grupe terroriste dhje rekrutim për terrorizëm – një aksion që organi i akuzë, për çudi del që e ka kryer për një muaj hetim zyrtar. Në një tjetër aksion, javë më vonë, u arrestuan mbi 10 imamë të BIK’ut, njërës nga pesë bashkësitë fetare që i njeh Ligji për Liritë Fetare, dhe që qe më shumë se një dekadë (edhe në mënyrë të kontestuar nga oponenca e brendshme) drejtohet nga Naim Tërnava, një ish-zëvendësministër i Hashim Thaçit. U raportua se edhe vetë Tërnava është intervistuar nga hetuesit e anti-terrorizmit për pranim të fondeve të dyshimta në bashkësinë fetare që ai drejton.

Në hetimin e lëvizjes xhihadiste në Kosovë, që çoi në llogoret e luftës në Siri e Irak qindra kosovarë, Prokuroria nuk e la anash as imamin më kontrovers kosovar, Shefqet Krasniqin që drejton xhaminë kryesore në vend dhe jep mësim në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) – organ i BIK’ut. Ai po hetohet edhe për shpëlarje parash, derisa Express kohë më parë ka pasur një intervistë me të ku është fokusuar kryesisht te financat e tij, e më vonë gazeta ka publikuar edhe fotografi nga pronat e tij në qendër të Prishtinës – shtëpitë vila dhe konviktin. I arrestuar e në paraburgim është edhe Zekirja Qazimi – imam i BIK’ut dhe siç ka raportuar Express mësues i terroristit Lavdrim Muhaxheri e bashkëpunëtor i tij në shoqatën ‘Rinia Islame Kaçanik”, por edhe mësues i komandanti aktual të shqiptarëve në ISIS, Ridvan Haqifit (po ashtu ish-imam i BIK’ut). Në këto hetime u arrestuan edhe imamë drejtues të televizioneve islamike, krye-imamë të BIK’ut si dhe drejtues të LISB’as, përfshirë këtu edhe politikanin Fuad Ramiqi, një ish-komandant në UÇK- krahut të armatosur nga Qeveria kosovare në ekzil e Bujar Bukoshit dhe më vonë edhe anëtarë i listave për deputet të LDK’së.

Prokuroria, për anti-terrorizëm kishte zhvilluar një aksion edhe tetorin e viti të kaluar ku arrestoi gjashtë nga shtatë kosovarë të kërkuar, kryesisht të rinj nga Prishtina e Gjilani që dyshohen për përgatitje të aksioneve terroriste dhe ku u konfiskuan armë e eksploziv, derisa në një tjetër rast u arrestuan katër persona nga pesë sa kërkoheshin të lidhur me Lavdrim Muaxherinm, një kosovar që u publikua duke prerë në fyt një fëmijë të sektit ‘shija’ në Irak, për profilin e tij dhe të kaluarën e të cilit ka raportuar Express kohë më parë.

Express kishte raportuar që në fillet e kësaj lufte edhe për rrugën që kosovarët ndiqnin për t’u bashkuar me xhihadin e ISIS’it dhe Al-Nusra’së, në një rrëfim ekskluziv i cili nxori që si pikë takimi mes xhihadistëve kosovarë dhe drejtuesve të luftës-terroristëve të ISIS’it ishin kampet e refugjatëve sirianë në Turiqi dhe ndërmjetësonin OJQ’të turke që dikur kishin punuar në Kosovë.

 

E OJQ’të, jo vetëm ato në Turqi, por edhe ato në Kosovë janë të dyshuar si pjesë e lëvizjes xhihadiste kosovare. Organet e hetuesisë deri tash kanë mbyllur, në kuadër të hetimeve të tyre mbi 10 OJQ’ për aktivitet e dyshimta të të cilave dhe lidhjet me terrorizmin kishte raportuar kohë më parë Express, siç janë: “Al Ëaqf Al Islami” me numët regjistri 5300183-1; “Sinqeriteti” nga Prizreni me numër regjistri: 5102259-9; “Rinia Istogase” me numër regjistri: 51127706-6; “Pema e Bamirësisë” nga Peja me numër: 5111354-3; “Parimi” nga Kacaniku me numër: 5113018-9; “Njëshmëria” nga Gjilani me numër: 5102111-8; “Nektari-HE” me numër: 5113004-9; “KAD” në Podujevë me numër: 5110388-2; “Gjurma” me numër: 5100152-4; “Kalliri i Mirësisë” me numër: 5100070-6; “Çelësi” me numër: 5113595-4; “Argumenti” me numër: 5114312-4; “AKEA” me numër: 5110087-1.

Në një reportazh ekskluziv nga Kaçaniku, Express raportoi se si shoqata ‘Rinia Islame Kaçanik (RIK)”- e paregjistruar por e krijuar nga terroristi Lavdrim Muhaxheri dhe “Parimi” – tash e mbyllur dërgonin xhihadistë në ISIS (RIK’u) dhe në Al-Nusra (shoqata “Parimi” ku ligjëronte imami i BIK’ut Tafil Ramuka nga Hani i Elezit).

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka deklaruar publikisht që mirëpret çdo informacion në lidhje me dyshimet për përfshirje të kosovarëve në grupet terroriste në Siri e Irka, derisa prokuroria Speciale ka konfirmuar që kanë disa raste të anti-terrorizmit nën hetim.

Derisa aksionet anti-terrorizëm që quan në pranga xhiahdistë e imamë kosovarë, që dëshmojnë lidhjen e pakëputshme të xhihadistëve me BIK’un, siç ka raportuar Express, në gjykatë tashmë kanë nisur problemet me mundësinë e Prokurorisë për t’i argumentuar aksionet e veta. Disa persona janë liruar nga Gjykata e Apelit në mungesë të provave e për disa ishte vetë prokurori që i arrestoi, Haki Gecaj, që kërkoi të lirohen nga paraburgimi.

Edhe imami Shefqet Krasniqi është liruar nga paraburgimi për t’u mbajtur në arrest shtëpiak, derisa kryemami i Pejës, Enes Goga, u lirua krejt nga paraburgimi (nuk u caktua as arrest shtëpiak) dhe pas lirimit tha që është diskredituar ai, BIK’u e shteti.

Një gjë është e pakontestueshme: imamët e arrestuar ruajnë një bazë të madhe përkrahësish. Mirëpritja popullore pas lirimit të tyre nga paraburgimi e dëshmon këtë.  

Gazeta “Express”

SHKARKO APP