Komandimet “zhbllokojnë” Apelin e Korçës, KLGJ çon gjyqtarë nga shkalla e parë por juristët shprehin rezerva
Komandimi i dy gjyqtarëve të shkallës së parë ka zgjidhur ngërçin në Apelin e Korçës, ku gjykata nuk zhvillonte asnjë proces pasi kishte mbetur me vetëm një gjyqtar. KLGJ ka deleguar në Korçë dy toga të zeza duke plotësuar vendet vakante të mbetura si pasojë e arrestimit të një gjyqtareje dhe shkarkimit të një tjetre nga vettingu. Por juristët thonë se transferimi në Apel i gjyqtarëve të shkallës së parë është procedurë e diskutueshme në aspektin ligjor.
Shkarkimi nga procesi i vetttingut i gjyqtares Etleva Temo, dhe pezullimi Mimoza Margjekës pas arrestimit për korrupsion e futi Gjykatën e Apelit në kolaps.
Ky institucion mbeti me vetëm me gjyqtarin Olsi Xhavella në detyrë, por në pamundësi për të zhvilluar proceset, të cilat në shkallën e dytë të gjyqësorit kërkojnë trupë me tre anëtarë.
Për ta bërë gjykatën efektive, Këshilli i Lartë Gjyqësor përdori skemën e komandimit, duke dërguar në Apelin e Korçës, Arta Dukën nga gjykata e Fierit e Dritan Hasanin nga ajo e Përmetit.
Por juristët thonë se vendimi zgjidh vetëm provizorisht ngërçin e nisur më herët, e që ka krijuar vonesa në shqyrtimin e çështjeve që shkojnë deri në një vit.
Esmerald Xhafa: Drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar. Në gjykatën e Apelit ka çështje që presin mbi 1 vit e gjysmë radhën.”
Komandimi i gjyqtarëve të shkallës së parë në Apel po përdoret nga KLGJ si praktikë në kushtet e situatës emergjente të krijuar nga vettingu, por juristët ngrenë alarmin se kjo procedurë cënon procesin gjyqësor.
Esmerald Xhafa: Në një funksion normal të ligjit dhe Gjykatës Kushtetuese do ti nxirrte të pavlefshme për shkak se janë gjykuar nga gjyqtarë që nuk kanë kompetenca për tu gjykuar nga ato gjykata.
Nga rreth 300 gjyqtarë e prokurorë që i janë nënshtruar procesit të vettingut, 105 prej tyre janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë pasi janë gjetur me shkelje, kryesisht për shkak të pasurisë.