Komisionerja e BE për Zgjerimin: Shqipëria dhe Mali i Zi më mirë drejt Integrimit
Komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos në fjalën e mbajtur përpara ligjvënësve në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Europian, tha se shtrirja e unionit është ndryshe sot nga sa ishte përpara 4 apo 5 vitesh. ”Për herë të parë në dhjetë vitet e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja anëtare. Por unë ua kam bërë të qartë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur janë në pyetje kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, thotë Marta Kos.
Ajo ka paralajmëruar se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi, por edhe Shqipërinë, të cilat i konsideron si më të avancuarat në procesin e zgjerimit. ”Mali i Zi ka vizion të mbarojë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t`i mbështesim ato, edhe pse duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra kur kandidatët të përmbushin kriteret atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara”, shtoi ajo.
Për Kosovën, komisionerja foli fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Europian se çfarë pret nga zgjedhjet atje. ”Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres që të mund të lëvizim përpara zgjedhjeve, por mund të them se shumë shpejt pas tyre do të ketë lëvizje. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ose se çfarë është bërë më vete Kosova e çfarë është duke bërë Serbia”, përfundoi Kos.