Komisioni i Ligjeve miraton uljen e akcizës për naftën dhe benzinën për të mbrojtur konsumatorët
Komisioni i Ligjeve miratoi aktin normativ që parashikon uljen me 20% të akcizës sa herë çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë. Kjo masë fiskale, që do të qëndrojë në fuqi deri në përfundim të situatës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, u aplikua për herë të parë më 3 prill, kur çmimi i naftës arriti 233 lekë, por qytetarët e paguan 224 lekë për litër.
Zv/ministri i Financave, Andi Mehmeti, deklaroi se ulja totale e taksave arrin në 9.5 lekë për litër, pasi bashkë me akcizën ulet edhe TVSH-ja. Sipas tij, rritja e çmimeve ka sjellë më shumë të ardhura në buxhet, me rreth 553 milionë lekë shtesë dhe një rritje të konsumit me 3% krahasuar me marsin 2025.
Efekti negativ nga ulja e akcizës për periudhën 1–24 prill ishte vetëm 37 milionë lekë. Në komisionet parlamentare u shqyrtua edhe propozimi i deputetit Eno Bozdo për uljen e taksës së qarkullimit, por ai u rrëzua nga mazhoranca që e konsideron situatën nën kontroll.
KOHA JONË SONDAZH

