Komisioni për Dezinformimin i krijuar nga PS, kalon për votim në Kuvend. Ja çfarë do të bëjë
Në seancën plenare këtë të enjte, do të kalojë për votim në Kuvend projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Dezinformimin. Komisioni i Posaçëm Parlamentar pritet të ketë në fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.
Komisioni ka objekt të veprimtarisë së tij:
– Të nxitë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një sërë formash, duke përfshirë fushat e dezinformimit nëpërmjet medieve tradicionale dhe atyre sociale për formëzimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publikë dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile;
– Të kryejë një analizë të plotë të të gjithë faktorëve dhe fenomeneve për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore në fuqi në lidhje me transparencën në proceset demokratike, veçanërisht transparencën e financimeve në fushata zgjedhore, si dhe transparencën e financimit të të gjithë aktorëve dhe platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik apo veprimtari të tjera të ngjashme me to;
– Të identifikojë masat administrative dhe ndërhyrjet e mundshme nëpërmjet ndryshimit apo plotësimit të legjislacionit në fuqi për të adresuar zgjidhjen e problematikave të identifikuara, veçanërisht në drejtim të rritjes së përgjegjshmërisë së platformave dhe medieve sociale për të klasifikuar përmbajtjen e lajmeve/informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet, me qëllim bërjen transparente të faktorëve ku bazohen për të shfaqur, për t’i dhënë përparësi, shpërndarë, apo hequr përmbajtjen e lajmit/informacionit, si dhe pa cenuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave/subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara joautentike në internet ose aktivitete të paligjshme, që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes.
III. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, që përfaqësojnë të gjitha grupet parlamentare dhe drejtohet nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare. Anëtarët e Komisionit përcaktohen me vendim Kuvendi.