Komiteti i Helsinkit: Prokuroria të hetojë vdekjet në spitale

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe shoqata “Together for Life” reagojnë për vdekjen e nënës me foshnjen në maternitet.

Përmes një deklarate për mediat, KSHH thotë se vdekjet e personave të sëmurë në institucionet e kujdesit shëndetësor kërkojnë reflektim, përgjegjshmëri dhe llogaridhëni.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe shoqata “Together for Life” u shprehin fillimisht ngushëllimet e sinqerta bashkëshortit, familjarëve dhe të afërmve të gruas shtatzënë me iniciale A.Ç, e cila gjeti vdekjen tragjike në maternitetin “Koço Gliozheni”, në Tiranë. Prokuroria ka filluar menjëherë ndjekjen penale lidhur me këtë rast, si organi përgjegjës për kryerjen e hetimeve dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur kjo ngjarje, si dhe të shkakut të vdekjes”.

Swiss Digital Desktop Reklama

KSHH dhe “Together for Life” e konsiderojnë këtë rast tepër të dhimbshëm dhe i sugjerojnë prokurorisë të kryejë një hetim të shpejtë, të gjithanshëm dhe objektiv.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga ana tjetër, KSHH dhe “Together for Life” e vlerësojnë si të nxituar deklaratën e Urdhrit të Mjekut që e cilëson ekstreme dhe emocionale ndalimin e mjekëve.

“Kujtojmë se është përkatësisht në kompetencën e prokurorisë dhe të gjykatës që, kur është rasti, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, të urdhërojnë ndalimin dhe vendosin masën e sigurimit ndaj çdo personi të dyshuar për kryerjen e një vepre penale”.

Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe rastet e tjera të mëparshme ku është vërtetuar pakujdesia, vonesat në ofrimin e shërbimit shëndetësor, mungesa e medikamenteve dhe e pajisjeve mjekësore, KSHH dhe “Together for Life” u bëjnë thirrje drejtuesve të institucioneve të shëndetit publik dhe personelit mjekësor që të tregojnë kujdes të veçantë, sidomos në rastin e urgjencave, ku jeta e personave të sëmurë është në rrezik.

“Kryerja e detyrës së mjekut është sa ligjore dhe e përgjegjshme, aq edhe humane. Është rasti të përmendim se pikërisht dje, mediat njoftuan vdekjen e shtetasit F.H, të ndaluar në Komisariatin e Divjakës dhe të dërguar urgjentisht në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, i cili sipas mjekëve kompetentë, pas infarktit të ndodhur në komisariatin e mësipërm të policisë, nuk mundi të jetonte. E shikojmë të nevojshme të përmendim se familjarët e shtetasit F.H kanë pretenduar se të afërmit të tyre të sëmurë, i cili ndodhej në komisariatin e Divjakës, i janë dhënë ilaçet me vonesë. Një tjetër shtetas i dënuar për trafik droge, A.A, vdiq dje në reanimacionin e kardiologjisë të QSUT-së”.

Së fundmi, KSHH dhe “Together for Life” nënvizojnë se çdo ankesë e personave të sëmurë dhe familjarëve të tyre, për sa i takon mosofrimit të shërbimit shëndetësor në kohë dhe me shpejtësi, me cilësi, profesionalizëm, si dhe lidhur me mungesën e infrastrukturës së nevojshme mjekësore, në mënyrë të veçantë kur këto ankesa vijnë pas ngjarjeve të rënda si ato që kanë ndodhur kohët e fundit, kërkojnë jo vetëm hetimin e plotë dhe të thelluar të Prokurorisë, por gjithashtu edhe reflektim nga autoritetet përgjegjëse të shërbimit shëndetësor publik, përgjegjshmëri dhe llogaridhënie, si dhe marrjen e masave për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të identifikuara, me qëllim që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?