Kompensimi i veçantë i pronave! Përfitojnë 16 pronarë të tjerë, por hoqën dorë nga 347 milion lekë (emrat)

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton ka përfunduar procesin e shqyrtimit administrativ të disa aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, të paraqitura nga subjektet e interesuar, të cilët disponojnë vendime përfundimtare që u kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës.

“Aktualisht ka përfunduar shqyrtimi administrativ i 16 (gjashtëmbëdhjetë) aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, për të cilat ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara.

Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të 16 (gjashtëmbëdhjetë) aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 227 milion e 640 mijë lekë, nga të cilat 47 milionë e 12 mijë lekë do të lëvrohen menjëherë si këst i parë, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit për të cilën ka aplikuar subjekti” njofton ATP.

Njëkohësisht ATP bën me dije se nga përfundimi i trajtimit të këtyre 16 (gjashtëmbëdhjetë) aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, Buxhetit të Shtetit i kursehet në total një fond në vlerën 347 milionë lekë.

Procesi i kompensimit të pronave parashikon një procedurë të veçantë kompensimi për ata që duan të përfitojnë më shpejt. Referuar ligjit, për të përshpejtuar procesin e kompensimit duhet të heqësh dorë nga një pjesë e fondit.

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se kësti përkatës për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.

SCAN

SHKARKO APP