Konferenca e plotë e kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa

Kryeministri Edi Rama mikpriti këtë të martë Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa, i cili vizitoi Tiranën, në kuadër të vizitave diplomatike, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi. Samiti mbahet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit të Europës dhe do të mikpritet nga Presidenti i Malit të Zi. Pas takimit të përbashkët mes dy delegacioneve, Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp:

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Faleminderit! Edhe një herë më duhet t’i uroj mirëseardhjen për herë të pestë në Tiranë, në Shqipëri, një miku gjithmonë e me të vendosur edhe të çmuar të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor, mbështetës i palodhur, qysh në krye të herës, si Kryeministër i Portugalisë i procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të Bashkimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe sot në cilësinë e Presidentit të Këshillit Europian, në një tjetër cikël tjetër takimesh në Ballkanin Perëndimor përpara takimit të përbashkët që do të kemi mes BE-së dhe Ballkanit perëndimor në pak ditë në Tivat të Malit të Zi.

Mirëserdhe i dashur Antonio! Është gjithmonë kënaqësi, jo për protokollin dhe as për mikpritjen e pakushte, por për faktin se çdo takim me presidentin është një orë, dy orë apo tre orë mësim dhe mësimi nga një eksperiencë e madhe dhe patjetër edhe nga një njohje e thellë e çështjeve të Europës, e çështjeve të botës, e çështjeve të ekonomisë, e çështjeve sociale, e kështu me radhë. Por unë dua ta falënderoj sot Antonion posaçërisht për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për mbështetjen e palodhur edhe përpara sesa ne të realizonim praktikisht mbylljen e fazës së parë ose më saktë mbylljen e fazës së çeljes së kapitujve me konferencën ndërqeveritare të pak ditëve më parë dhe hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve, në një kohë kur të gjithë së bashku përballemi me shumë sfida që nuk janë sfidat tona individuale, por janë sfida gjithmonë e më të përbashkëta.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe po ashtu ne ndajmë plotësisht me presidentin bindjen se pjesa kryesore e punës sonë tonë këtu mbetet puna jonë. Që do të thotë ne kemi detyra për të përmbushur, jo për hir të Brukselit, apo të Berlinit, apo të Parisit, por për hir të përmirësimit të performancës së shtetit, të institucioneve, të pushteteve të pavarura në Shqipëri dhe sigurisht që tani në këtë fazë theksi kryesor është zbatimi i atyre reformave që janë kryer me sukses apo i gjithë këtyre ligjeve që do vazhdojnë të hyjnë në trupin e organizmit ligjor të Shqipërisë nga “acquis communautaire” apo trupi ligjor i BE. Natyrisht që është një proces me shumë sfida. Me të drejtë Presidenti na ka sugjeruar që të rrisim përpjekjet për të njohur publikun e gjerë me të gjitha këto sfida që shoqërojnë çdo hap që ne hedhim përpara. Kemi folur për eksperiencën e Portugalisë në momentin përpara dhe pas hyrjes për eksperiencën e fermerëve, për eksperiencën e prodhuesve të vërës, për sfidat që ata patën për t’u adoptuar, sfida të shoqëruara me dhimbje, por pastaj të pasuara nga sukses dhe rezultate shumë më të mira për fermat e tyre, për prodhimet e tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ajo që e bën të vështirë që unë të zgjatem është se ne kemi dakordësi 100% në të gjitha çështjet. Kemi dakordësi 100% për sa i përket detyrave që ne duhet të bëjmë. Kemi dakordësi 100% për sa i përket domosdoshmërisë që të ecim me këtë ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve. Kemi dakordësi 100% që të bëjmë çmos që rajoni si i tërë të funksionojë si një kolektiv bashkëpunues dhe kemi dakordësi 100% që të gjitha këto janë më të lehta për faktin që në këtë rrugë ne s’jemi vetëm, por kemi një partner të jashtëzakonshëm siç është BE dhe kemi një burim të jashtëzakonshëm dijeje siç është procesi i negociatave dhe i ndërveprimit me Komisionin Europian. Kështu që unë nuk dua zgjatem më tutje dhe skam sesi të zgjatem në fakt se s’kemi asnjë problem, asnjë shqetësim që na ndan, kemi vetëm shqetësime që na bashkojnë. Dua ta falënderoj dhe një herë miqësisht dhe përzemërsisht presidentin, t’i kaloj fjalën dhe pastaj natyrisht t’i përgjigjemi dhe pyetjeve përkatëse të gazetareve të pranishëm.

Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa: Së pari, i dashur Edi, faleminderit shumë për mikpritjen tuaj të ngrohtë në Tiranë dhe për mirëseardhjen sepse për mua është gjithmonë kënaqësi që të vij në Tiranë dhe sot, unë vlerësoj dhe përgëzoj vendosmërinë e Shqipërisë, përpjekjet e saj për t’u bërë shtet anëtar i BE dhe kjo në sajë të, në veçanti, rolit tuaj, Edi, një rol aspak të vogël dhe angazhimit tuaj personal në këtë proces. Javën e shkuar, ashtu siç u konfirmua, pra edhe në konferencën ndërqeveritare, ne pamë ecurinë e Shqipërisë dhe Shqipëria në fakt ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e parë për çështjen e “Themelore”-ve.

Kjo tregon që shtetet anëtare kanë kuptuar dhe vlerësuar angazhimin e Shqipërisë për të vijuar dhe për të ecur përpara më tej në anëtarësimin dhe rrugëtimin e saj, pra drejt BE dhe ky është fillimi i një faze të radhës, një faze tjetër e cila është impenjative, e cila do të përqendrohet tek çështja e zbatimit dhe tek historiku që do të ketë Shqipëria dhe siç e thoni dhe ju shpesh, Edi, këto reforma më shumë sesa kushte të vendosura nga Bashkimi Europian, janë në fakt zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Që do të thotë, që një angazhim i vazhdueshëm, i prekshëm politik për sundimin e ligjit dhe për ruajtjen e një gjyqësori të pavarur dhe llogaridhënës, janë themele thelbësore për anëtarësimin në BE. Ju inkurajoj që të përshpejtoni përpjekjet tuaja për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Bashkimi Europian është në fakt partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë. Është dhe investuesi kryesor dhe partneri më i rëndësishëm tregtar.

Bashkimi Europian mbështet pikërisht, ecurinë e Shqipërisë që Shqipëria të jetë një vend i begatë, i siguritë me anën e projekteve konkrete dhe politikave të tilla si për shembull; qasja që ju tashmë ju jeni ne zonën SEPA të pagesave në euro, ndërkohë në formë graduale ju po integroheni në tregun unik të BE, në programin e roaming-ut ose “Roam like at home’’ apo skemën ‘’Zbulo hekurudhat e BE-së’’. Pra anëtarësimi në BE është shumë më shumë sesa thjeshtë të jesh pjesë e një tregu unik. Do të thotë që ti bëhesh pjesë e një bashkimi politik, i cili është ndërtuar në bazë të disa vlerave të përbashkëta dhe të zgjedhjeve të rëndësishme strategjike. BE ka sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në kontinent për të gjitha shtetet anëtare nëpërmjet institucioneve të forta demokratike, por edhe lidhjeve të forta ekonomike.

Zgjerimi ua ofron këto mundësi, pra të njëjta mundësi fqinjëve tanë, si Shqipëria, por në këtë kohë plot pasiguri gjeopolitike në mbarë globin dhe pa stabilitet ekonomik, më shumë sesa mundësi, zgjerimi është gjithashtu dhe një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën. Është investim tek paqja, stabiliteti dhe siguria e kontinentit tonë dhe për këtë arsye, unë me kërshëri pres që të ritakohemi shumë shpejt në samitin e përbashkët BE- Ballkani Perëndimor të premten e kësaj jave në Tivat. Samiti do të jetë një shenjë e qartë e vendosmërisë tonë për ta çuar më tej bashkëpunimin tonë dhe për të ecur më tej në këtë punë që është bërë për zgjerimin e Bashkimit Europian.
I dashur, Edi, ti ke një traditë që do të thotë që gjithmonë më propozon dhe më rekomandon letërsinë shqipe. Tashmë kam lexuar librat e Lea Ypit dhe librat e Kadaresë i kam në listën e librave që do të lexoj sivjet në verë.

Të falënderoj për këto rekomandime, sepse në fakt më ndihmojnë që ta kuptoj më mirë Shqipërinë, por gjithashtu më kujtojnë edhe një gjë tjetër, që ne kemi një histori të përbashkët, një histori të gjatë që gërshetohet më njeri-tjetrin, kështu që sot, ne jo vetëm që reflektojmë për këtë histori të përbashkët, por po formësojmë edhe të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.

Faleminderit shumë!

* * *

– Zoti kryeministër, pyetja ime është për ju dhe duke qenë se dy javët e fundit keni folur në mënyrë shteruese për procesin e anëtarësimit, pyetja ime do të fokusohet zhvillimet më të fundit për investimin në Zvërnec. Ju e thatë dhe dje që kur keni ardhur në pushtet filozofia juaj ishte zyra është e juaj dhe pushteti është i qytetarëve dhe jeni sfiduar në memorien time të paktën katër herë me protesta qytetare; ajo e armëve kimike; protesta e studentëve; protesta e qytetarëve të Kukësit pas vendosjes së tarifës për kalimin në rrugën e Kombit; dhe protesta pas vrasjes së të riut që çoi deri edhe në largimin e ministrit të Brendshëm. Sot është dita e tretë, është lajmëruar dita e tretë e një proteste qytetare për investimin në Zvërnec. A është e gatshme qeveria juaj, ju personalisht të hiqni dorë nga ky investim nëse protesta do të vazhdojë dhe kërkesa do të jetë po e njëjta dhe çfarë mund të ndodhë më mirë që të shkohet drejt kësaj vendimmarrje? Duke patur parasysh që ditët e fundit në media është raportuar se do të ketë dhe masa nga SPAK-u për pronarët e pronës, por edhe për llogaritë e investitorëve. Faleminderit!!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Pavarësisht se është pak larg temës, megjithatë unë nuk do t’i shmangem dhe do ta nis nga fundi, sepse kjo e SPAK-ut ka dy pjesë. Ka pjesën pozitive që i takon SPAK-ut, ka pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetë ofruar të SPAK. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur, me të drejtë apo pa të drejtë këtë nuk e dimë, por i ngritur dhe pastaj i shumë përfolur, aq më tepër për sa kohë kjo përfolje lidhet me një hetim të nisur për sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone, është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim.

Nga ana tjetër, pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar, të cilët ndajnë me opinionin publik gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.
Pasi investitorët, të cilët sot janë zotëruesit e pronës bazuar në legjislacionin shqiptar, duke ndjekur të gjitha procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm, burimet financiarëve të të cilëve për të përcjellë pagesën tek zotëruesit e pronës, se nuk është një, janë disa zotërues të pronës sipas titujve të pronësisë, se atyre i referohemi, janë investiguar si të gjithë rastet e tjera, por në këtë rast edhe më imtësisht nga Agjencia jonë e Pastrimit të Parave që nuk është një agjenci që vepron si një ishull, por është një agjenci që vepron në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë rezultuar totalisht, totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global. Kështu që, kjo çështje siç është me dy pamje duhet ndarë në dy pjesë.

Investitorët janë tërësisht në të drejtën e tyre, bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është tërësisht arbitrar dhe negativ, ndërkohë që pastaj bllokimi i kalimit të parave tek pronari për të cilin ka dyshime, është një çështje absolutisht në të drejtën e organit hetimor. Madje, madje unë e konsideroj këtë pozitive dhe për një aspekt tjetër, sepse në këtë rast investimi vazhdon me pronarët e vet të rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se hetimi nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që e pretendojnë apo që e kanë të drejtën e asaj prone, fare mirë mund të marrin ato para dhe të gjitha palët janë të lumtura, përveç palës që ka mashtruar, në rast se ka mashtruar, po këtë e tregon hetimi.

Kështu që, do t’i bëja thirrje edhe njëherë zëdhënësve të vetëofruar që të mendohen disa herë përpara se të shkruajnë gjysmë të vërteta, sepse në këtë rast nuk cenojnë thjesht disa investitorë, cenojnë Shqipërinë. Cenojnë Shqipërinë pasi dihet se kush janë investitorët, të cilët janë njerëz me reputacion dhe mbi të gjitha njëri prej tyre është një njeri që për arsye krejt të tjera shikohet nga gjysma e mediave në vendin e tij dhe në vende të tjera si armik i palës tjetër. Kështu që është shumë e rëndësishme që ne të jemi mikpritës, ne të jemi të drejtë dhe ne të mos marrim në asnjë mënyrë damkën e një vendi, ku investitorët priten me këmbët e para, kjo është njëra anë.

Ana tjetër është që nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do jem këtu dhe ndërkohë unë jam absolutisht i hapur siç kam qenë edhe në rastet e tjera për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por mbi të gjitha duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet sepse nëse pretendimi është për pronën, siç folëm çështja e pronës, falë ndërhyrjes së SPAK-ut është një çështje që ka rrugën e vet dhe fare mirë mund të çojë në një zgjidhje ideale për faktin se ato para mund të shërbejnë për të dëmshpërblyer pronarët. Ndërkohë që, të tjerët janë pronarë sot dhe janë pronarë bazuar në letrat e shtetit shqiptar, letra të cilat i përkasin viteve ’90 nga Komisioni i Kthimit Pronave, e të tjerë, e të tjerë. Ndërkohë ka problem me projektin. Çudi e madhe se s’ka projekt! Ka vetëm një koncept, i cili siç e shpjegova dje është miratuar dhe është shoqëruar me shumë kushte për projektin që pritet të vijë. Ka probleme me impaktin mjedisor? Çudi se nuk e kemi studim mjedisor akoma, i cili do të vijë dhe po kryhet nga një nga konsulencat më të mëdha ndërkombëtare me reputacion botëror.

Ka problem siç thoshin disa që ne nuk na duhen të huajt dhe ishte e çuditshme se nga një anë thoshin: “nuk na duhen të huajt” nga ana tjetër bërtisnin “poshtë komunizmi”. Tani duhet o njëra, o tjetra. Në qoftë se “poshtë komunizmit” duhet të vijnë të huajt, në qoftë se nuk vijnë të huajt, “rroftë komunizmi”. Por duhet ta mbyll me një pjesë, që për mua është pjesë e rëndësishme e atyre që bëjnë një pyetje: “Ç’na duhen ne këto zhvillime kur ne nuk i aksesojmë dot, pasi janë për të pasurit”? Është një pyetje e drejtë në dukje, por është një pyetje e gabuar në thelb, sepse ekonomitë serioze dhe vendet që tek turizmi kanë një nga burimet kryesore, në mos kryesorin të të ardhurave të tyre nuk maten me “kush fle në dhomë” po maten “me sa para hyjnë ne ekonomi” dhe si shpërndahen ato në paga, në pensione, ne biznese, ne shërbime publike. Dhe shembulli është shumë i thjeshtë 1000 turistë që harxhojnë 100 euro në ditë, njëkohësisht janë 1000 konsumatorë që sjellin një ngarkesë të caktuar mbi trafikun, mbi shërbimin e pastrimit dhe kështu me radhë. Pra, kemi 100 mijë euro në ditë nga 1000 veta, ndërkohë që kemi të gjithë atë ngarkesë.

Ndërkohë që, 100 turistë që harxhojnë nga dy mijë euro në ditë janë 100 vetë që sjellin 200 mijë euro. Dhe 10 herë më pak ngarkesë, dy herë më shumë të ardhura, më pak beton patjetër, më pak mbeturina, më pak presion mbi natyrën. Ky është modeli që ndjekin vendet, të cilat e kanë kapërcyer epokën e turizmit masiv dhe të cilat sot që flasim problemin kryesor kanë si ta ulim presionin e numrave dhe të rrisim të ardhurat. Kam sjell sot një shembull. “Costa Navarino” në Greqi që u kundërshtua e u bë copash, ka gjeneruar 3.5 miliardë euro ndikim në atë rajon. Mbi 11 mijë vende pune direkte dhe indirekte. Dhe kini parasysh një gjë, është llogari e bërë. Për çdo një euro të shpenzuar brenda në resorti gjenerohen 1.6 deri në 2 euro jashtë atij resorti, në ekonominë përreth. Janë 60 % e furnizimeve në Costa Navarino, që i bëjnë prodhuesit vendas që janë aty rreth e rrotull. Dhe natyrisht që shumica e popullit grek nuk shkon të flejë në Costa Navarino, kjo është normale, por mijëra grek të zakonshëm jetojnë prej Costa Navarinos dhe ndërkohë populli grek përfiton nga të ardhurat që sjell Costa Navarino. Ka shumë të tjera, por turizmi në Maldive gjeneron 40% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar nga të cilat 25% që janë ekonomia e atij vendi vijnë nga resortet luksoze. Dhe një studim i bërë nga FMN ka treguar se një natë në resort gjeneron shumë herë më tepër vlerë ekonomike për komunitetin sesa 1000 netë në kosto të ulët.

Kështu që, meqë do shkojmë në Mal të Zi me Presidentin, është vendi më i vogël i rajonit. Është nisur në të njëjtin start me të gjithë vendet e tjera të ish Jugosllavisë. Prej vitesh ka pagat më të larta në rajon. Turizmi në Mal të Zi mbështet një në çdo katër vende pune dhe FMN thotë “rritja e numrit të turistëve në mënyrë të përvitshme është arsyeja kryesore e rritjes ekonomikë të Malit të Zi dhe e rënies së papunësisë në nivele historike”. Dhe natyrisht që Mali i Zi këtë sukses e ka nga turizmi i luksit. E ka nga hotelet, e ka nga resortet, ku nuk shkojnë malazezët e zakonshëm, por prej të cilave malazezët e zakonshëm kanë paga më të larta, kanë pensione më të larta dhe kanë shumë më tepër mundësi për të hapur biznese dhe për të rritur biznese lokale rreth e rrotull. Kështu që, kur një turist paguan 100 euro në ditë, diçka fitojnë ata, të cilët e mikpresin dhe i shërbejnë. Po, kur një turist paguan 2 mijë euro në natë, atëherë fitojnë kuzhinieri, fitojnë shoferët, fitojnë peshkatarët, fitojnë fermerët, fiton ndërtuesi, fitojnë bizneset lokale rreth e rrotull dhe në fund fiton pensionisti sepse janë të ardhura të cilat vijnë në ekonomi.

Pse nuk ngrihen njerëzit të thonë që pse na duhet ne aeroporti kur ne s’kemi avionë? Po porti për çfarë na duhet kur ne s’kemi anije? Po fabrika e makinave për çfarë duhet se unë nuk kam mundësi të blej makinë? Sepse e dimë që vlera e të gjitha këtyre nuk vjen nga përdorimi personal, këto janë gjëra të thjeshta, por janë gjëra që meritojnë të diskutohen. Pyetjet janë legjitime. Dhe ata që thonë ç’na duhet etj, kanë të drejtën e tyre, kështu që investimi nuk ndalet, por natyrisht unë jam shumë i hapur siç kam qenë dhe në rastet e tjera që ju përmendët të flas. Kush do të flasë, ju kujtohet ajo “kur do flasim”. Studentet folën dhe kanë fituar Paktin për Universitetin dhe që vazhdojnë sot efektet pozitive mbi studentet, për konviktet, për kushtet, për laboratorët, për investimet e tjera, kampuset e kështu me radhë falë atyre studentëve që protestuan atëherë.
Ndërsa, teoria “ndalu ti se jemi ne”, me mua nuk ka funksionuar, nuk funksionon dhe nuk do funksionojë për sa kohë unë jam këtu me votat e shumicës së shqiptarëve dhe kush thotë “ne jemi populli” duhet të mendohet mirë sepse populli është ai që flet ditën e zgjedhjeve. Ne të tjerët jemi të gjithë individë, na bashkon një kauzë, na bashkon një interes, na bashkojnë këngët, na bashkon nevoja për të thirrur në kor “Edi Rama të qr”, por populli është diçka tjetër. Faleminderit!

-Pyetja ime është për Presidentin e Këshillit. Në fillim të konferencës Kryeministri Rama tha që “nuk kemi asnjë problem me BE, jemi 100% dakord” dhe ju nuk e kundërshtuat. Gjithashtu folët për një moment për Ballkanin Perëndimor, por sa herë ka një ‘’momentum’’ për Ballkanin Perëndimor gjithmonë Brukseli ka diskutime dhe përfshihet në diskutime, herë për reformimin e zgjerimit, herë për ndonjë vend të caktuar. Tashmë jemi në fazën kur kancelari gjerman ka bërë në propozim dhe ka shkruar një letër juve dhe gjithë anëtarëve të BE. Ka diskutime. Pyetja ime është, në çfarë faze janë diskutimet dhe nëse pranohet që Ukraina të kalojë një pistë dhe të bëhet anëtar i BE, ndërkohë Ballkani Perëndimor të qëndrojë në at pistën me kushte dhe detyra, a vritet procesi i bazuar në meritë dhe Ballkanit perëndimor i mbetet vetëm ‘’momentumi’’ dhe dashuria për BE? Faleminderit.

Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa: Zgjerimi Ballkanit Perëndimor, së bashku me procesin e zgjerimit me Ukrainën dhe Moldavinë, janë prioriteti kryesor gjeopolitik i Bashkimit Europian. Sigurisht, procesi mund të përmirësohet gjithmonë, por tani duhet të përqendrohemi te realizimi i asaj që po bëjmë tashmë. Propozimi i paraqitur nga kancelari Merz ka si qëllim kryesor krijimin e një zgjidhjeje për akomodimin e Ukrainës brenda strukturës së Bashkimit Europian, sepse shumë njerëz besojnë se integrimi i Ukrainës mund të zgjasë më shumë nga sa e parashikojmë aktualisht.

Mund të presim ne për Ukrainën. Unë jam më optimist për këtë, por në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor e në veçanti për vende si Mali i ZI apo Shqipëria, unë mendoj që ne mund të punojmë qartazi sepse jemi në rrugën e duhur. Ne tashmë kemi krijuar grupin e punës për të filluar përpilimin e traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi dhe tashmë 35 kapituj janë hapur për negociata me Shqipërinë. Dhe tashmë unë mendoj që kemi kushtet për të filluar mbylljen e disa kapitujve. Për shembull, dje Komisioni i ka sjellë Këshillit, propozimet për mbylljen e tre kapitujve, pra po ecet përpara. Po ecet përpara dhe këtu duhet të përqendrohemi, të fokusohemi tek kjo pikë. Sigurisht që Shqipëria ka një objektiv shumë ambicioz dhe ne ndajmë ambicien tuaj pra, dhe këtë dëshirë tuajën për përfundimin e negociatave për përfundim të negociatave deri në vitin 2027. Jemi tashmë në qershor 2026 dhe kemi dhe një vit e gjysmë përpara që do të thotë që ne do të vazhdojmë të punojmë fort dhe të tregojmë rezultate hap pas hapi për çështje të ndryshme dhe është e mundur. Po a është e vështirë? Po. Po a është e mundur? Po. Pra duhet të punojmë pikërisht për këtë çështje. Faleminderit.

– Pyetja ime është për ju, Zoti Rama. Kapitulli për mjedisin është konsideruar më sfiduesi në procesin e integrimit evropian. Në këto kushte, investimi që do të kryhet në zonën e Zvërnecit, do të jetë në përputhje me standardet e BE për mbrojtjen e mjedisit duke pasur parasysh se zona është peizazh i mbrojtur, kategoria e 5. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj që kjo pyetje, përgjigjen e ka brenda. Si mundet ne të bëjmë një projekt, i cili është në projekt në një peizazh natyror dhe të mos zbatojmë standardet e BE. Si bëhet kjo? Kjo ka një mundësi të bëhet, po, që ne të mbyllim procesin me BE. T’i themi ‘’faleminderit shumë. Ne do shkojmë me Kinën edhe nuk do merremi me këto, “cicmicet tuaja’’, por ne nuk e kemi këtë alternativë. E kam thënë dhe e përsëris dhe ia them këtë të gjithë atyre që hera-herës thonë ‘’ç’na duhet Europa plakë, ç’na duhet Evropa,…”, është ajo fjala tjetër, e dini ju. Që ajo Europa plakë është e vetmja që na duhet ne. Të kesh, të mendosh për një alternativë ndaj asaj Europe, duhet të pranosh që ka një alternativë ndaj lirisë individuale, duhet të pranosh që ka një alternativë ndaj sundimit të ligjit dhe duhet të pranosh që ka një alternativë ndaj bashkimit që bën fuqinë.

Unë nuk mendoj që këto alternativa ekzistojnë dhe natyrisht që për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje, duhet të sillemi korrekt sipas standardeve të asaj familjeje, jo për ata, po për ne. Presidenti ka qenë kryeministri më i suksesshëm i Portugalisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe është njeriu që mund t’ju tregojë shembuj pa fund se si gjithë ato tensione dhe gjithë ato dhembjet që krijoi procesi i futjes në BE për të reformuar vetveten, u kthye në mirësi dhe në sukses për atë popull. Por natyrisht që ne duhet të ecim dhe ne këtu bëjmë dhe Ramazan se këta në Portugali nuk bëjnë as Ramazan. Ne kemi gjithandej atë thirrjen ‘’pas dhembjes vjen lehtësimi’’, apo jo? Kështu që pa dhembje nuk ka. Do t’i bëjmë këto gjëra.

Kurse projekti jo vetëm që do jetë në standardet evropiane, ambicia ime është, dhe ambicia që unë e ndaj me bashkë investitorët që janë aktualisht dhe bashkëpronarë sot atje, që të jemi shumë të qartë, është që ne të bëjmë një projekt që të jetë model, që të jetë një nivel edhe me i lartë sesa Costa Navarino sepse kemi ça të mësojmë prej tyre. Janë disa laguna në Francë që janë me të njëjtat karakteristika si laguna atje dhe janë destinacione turistike të nivelit më të lartë dhe kanë komunitetet më të pasura të Francës rreth tyre. Për shkak të tyre, patjetër që ka pasur dhe eksperimente ose projektet që kanë sjellë dëme.

Nuk po përmend vende, vende në BE. Janë të gjitha në dosjen e studimeve që po bëhen, sepse në një lagunë X, në një vend tjetër, jo në Francë, kanë ndodhur një sërë pasojash shumë të rënda për biodiversitetin kështu që arkitektë nga më të mirët e botës, inxhinierë nga më të mirët e botës, hidro, të mjedisit, të gjithë spektrit të problemeve, nuk mundet dot të mblidhen te gjithë, së bashku me ata investitorë dhe kompania “Power Holding’’ që ua kam dhënë si adresë, është kompania që ka bërë resortet më luksoze në Maldive dhe në vende shumë të brishta, nuk janë mbledhur që të vijnë këtu, të hedhin beton edhe të shkatërrojnë biodiversitetin. E vetmja gjë që mund të bëjnë, por që këtë nuk kemi se si ta shmangim, është që të shkatërrojnë nervat dhe të shkatërrojnë komplet imazhin e Sazan Gurit me shokë. Po këtë nuk kemi se si e shmangim dot. Se lekë për Sazan Gurin ata nuk kanë, që të jemi të qartë.

– Zoti president, si kundër ju tha dhe kryeministri, por sikundër po e dëgjoni kjo e Zvërnecit është një “hot topic” i ditëve të fundit në Shqipëri. Ndaj dua t’ju pyes sa e rëndësishme është transparenca për investimet strategjike në një vend kandidat për anëtar në Bashkimin Europian dhe a mund të ndikojë situata e fundit në Zvërnec, përsa i përket pronave, sidomos në kuptimin e zbatimit të ligjit, sundimit të ligjit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Faleminderit!

Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa: Siç e dini në procesin e anëtarësimit, ajo që pritet është që Shqipëria të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian për të gjitha fushat përfshirë edhe mjedisin. Pra, nuk është se unë mund të flas për ndonjë projekt të veçantë apo specifik, por Komisioni Europian, të jeni të sigurt, është në kontakt me autoritetet shqiptare, po dëgjon shoqërinë civile dhe në rast se do të ketë arsye për të komentuar, Komisioni Europian do të komentojë. Ky është procesi normal i punës tonë, sepse nuk është puna vetëm për të përkthyer në gjuhën shqipe legjislacionin e Bashkimit Europian, por është vënia në zbatim e legjislacionit europian në Shqipëri në lidhje me mjedisin, e me të gjitha fushat e tjera dhe kapitujt, kjo është mënyra normale.

Kryeministri Edi Rama: Të shtoj dhe unë diçka këtu për transparencën. Transparencën për një proces apo një projekt e kemi detyrë të përbashkët ne i dashur; e ka detyrë qeveria ta bëjë, e keni detyrë ju ta bëni. Ky është një projekt privat për të cilin nuk ka projekt akoma, i cili ka nisur mbi bazën e një marrëdhënieje private mes entitetesh private dhe marrëdhënie private mes entitetesh private dhe kontrata private në Shqipëri bëhen shumë dhe privatët nuk janë të detyruar të japin llogari as mua, as ju kur shkojnë negociojnë për të blerë një tokë apo kur fillojnë të punojnë për një projekt. Transparenca fillon kur projekti futet në fazën për t’u miratuar dhe pasi miratohet. Kështu që për sa i takon qeverisë ju nuk keni absolutisht asnjë transparencë për të kërkuar lidhur me këtë projekt sepse nuk kemi projekt, kemi proces të brendshëm ndërveprimi institucional mes të interesuarve dhe strukturave tona që siç bëjnë me të gjithë zhvilluesit e kësaj Republike kanë bërë dhe me këta zhvillues duke vendosur kushte, standarde e tjerë e tjerë.

Çfarë transparence duhet të bëjë qeveria në këtë rast? Ah, ju po! Juve keni plotësisht të drejtë që të pyesni dhe të merrni përgjigje dhe jo t’i thoni publikut gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha, jo të hidhni hije dhe baltë mbi investitorë që të gjithë ata që na luftojnë ne këtu, jo të gjithë ata që na luftojnë, por disa nga ata që luftojnë kundër kësaj do donin t’i kishim për vete. Dhe ua thashë dje “Porto of Montenegro” që bëri fatin e Malit të Zi do ndërtohej këtu, do ishte “Porto of Durazzo”, investitori kanadez ka qenë këtu, i ka rënë këtyre dyerve dhe ka ikur sepse nuk ka gjetur dashamirësi, po ka gjetur “berber me gërshërë në dorë për të prerë biletat”, dhe shkoi e ndërtoi atje.

Kështu që mikpritja ndaj investitorëve duhet të jetë fiksim, jo i imi i vetëm, por i juaj dhe i çdokujt, sepse ata janë si të thuash “preja” për të cilin luftojnë të gjitha vendet. Si të marrim më shumë investitorë? si t’i krijojmë më shumë klimë? Klima e biznesit është problemi kryesor që kanë të gjithë vendet. Si u bëka kjo punë me baltë edhe me hile dhe me pabesira, edhe me gënjeshtra? Nuk bëhet! Kështu që për transparencën në raport me ju pyesni dhe do merrni përgjigje. Ti the investimet strategjike? Nuk është investim strategjik, s’ka bërë kërkesë për t’u bërë investim strategjik akoma, mund ta bëjnë. Nuk ka bërë asnjë kërkesë për të bërë investim strategjik. E di pse? Sepse mbase ata nuk kanë nevojë fare për këto incentivat tona, do sjellin 4 miliardë euro në Shqipëri i dashur.

Me ato 4 miliard euro do bëhet një Shqipëri më e mirë, edhe pronari yt do të deklarojë pastaj rrogën që të jep ty dhe rrogën që i jep të tjerëve mbase. Kështu që shikoni këtë gjë pak më gjerë, transparencën ta bëjmë të plotë për sa na takon. Dhe mbi të gjitha kjo nuk erdhi sot, kjo ka dy vjet që është publikuar dhe unë e kam thënë më shumë sesa një herë, Sazani është një projekt që lidhet me një tokë publike dhe aty ne kemi si shtet detyrat tona. Ky është projekt privat kur të vijë tek ne për të marrë miratimin si gjithë të tjerët do bëhet publik dhe unë di të them vetëm kaq nëse ne do ta realizojmë ashtu siç unë besoj do e realizojmë, të gjithë juve do jeni shumë krenarë si shqiptarë kur të thoni që Shqipëria ka një nga destinacionet më spektakolare të të gjithë Mesdheut. Dakord! Kjo është ambicia! Shumë faleminderit! Dhe ndjese zoti president për temën e nxehtë, por çfarë është e nxehtë, është e nxehtë!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?