Konfindustria jep propozimet e reja: Dy paketat financiare të qeverisë të pamjaftueshme
Me qëllim zbutjen e pasojave të rënda në ekonomi, falimentimin e bizneseve dhe shmangien e krizave humanitare në kushtet e pandemisë Covid 19, Konfindustria thotë se është e domosdoshme, që ekzekutivi të ndërtojë dhe zbatojë sa më shpejt një paketë fiskale shoqëruese në nivel qendror dhe vendor.
“Paketat financiare 1 dhe 2 të derisotme me përafërsisht vetëm 100 milion euro për periudhë tremujore, janë të pamjaftueshme për të siguruar likuiditetin minimal të ekonomisë kombëtare dhe përballimin e pasojave për shumicën e bizneseve, të papunëve dhe shtresave në nevojë”, bën të ditur kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.
Konfindustria kërkon, që një nga parimet kryesore të ndërtimit të paketës fiskale Covid 19 të jetë balancimi i humbje-përfitimeve, që kanë patur kategori të ndryshme biznesi gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Ndërkohë, që një pjesë e madhe e bizneseve dhe qytetarëve po përballen me pasoja të rënda të krizës, ka mjaft kategori biznesesh, që kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthore.
“Është detyrë e ekzekutivit, që të përcaktojë kategoritë e bizneseve, që kanë përfituar nga gjendja e jashtëzakonshme dhe të ndërtojë politika fiskale me qëllim shtimin e likuiditetit në ekonomi, rishpërndarjen e të ardhurave shtesë drejt qytetarëve, bizneseve të dëmtuara, shtresave në nevojë dhe të papunëve”
Për të gjitha këto, Konfindustria sjell disa raste, ku ekzekutivi duhet të ndërhyjë.
1- Kompanitë e sigurimeve në kushtet e kufizimit me ligj për pothuaj 2 muaj të lëvizjes së automjeteve duhet të rikthejnë 2/12 e vlerës së siguracionit qytetarëve. Sa më sipër është praktikë e zbatuar në të gjithë vendet e zhvilluara të botës.
2- Kompanitë e shërbimeve publike si p.sh pastrimit, etj. në të gjitha bashkitë e vendit, për arsye të kufizimeve masive të lëvizjes kanë ulje të dukshme të kostove. Si rrjedhim duhen parashikuar ulje të tarifave/taksave vendore, shtyrje e tyre në kohë, ulje të pagesave për kompanië fituese të tenderave, etj..
3- Kompanitë e telekomunikacionit, internetit, etj. kanë rritje të ndjeshme të të ardhurave si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme. Agjencitë rregullatore duhet të marrin masa për të rishikuar në ulje çmimet e shërbimeve të ofruara, etj. ose në rast të kundërt ekzekutivi të parashikojë rritjen e barrës fiskale, dividentit, tatim fitimit, etj.
4- Ekzekutivi duhet të marrë masa të jashtëzakonshme për mbajtjen e valutës brenda vendit. Për sa më sipër duhet të ndalohet shpërndarja e dividentit dhe investimet jashtë vendit. Gjithashtu, blerjet nga buxheti i shtetit, agjencitë dhe kompanitë publike duhen të drejtohen drejt industrive dhe prodhuesve të Shqipërisë dhe Kosovës.