Konfindustria për ish ARMO-n: 10 mld dollarë, dëmi në buxhet nga hidrokarburet. SPAK të hetojë kompanitë “guackë”
Konfindustria vlerëson se zhvillimet e fundit dramatike në rafinerinë e ish- ARMO janë pasojë e pritshme e politikave tellësisht të dështuara në sektorët strategjikë të ekonomisë në 30 vite.
Sipas Konfindustrisë, gjëndja në sektorin e hidrokarbureve është edhe më e vështirë nga prania në numër të madh të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.
“Kompanitë e tipit “guackë”, që ndërrojnë njera-tjetrën, kanë shkaktuar dëme me qindra milionë $ në dëm të shtetit shqiptar, përfshi edhe rastin e rafinerisë ish-ARMO. Një pjesë e madhe e dëmeve të shkaktuara vjen nga përdorimi skemave të pastra të grabitjes së buxhetit të shtetit, duke mos paguar detyrimet fiskale. Më pas kalojnë në falimentim dhe/ose zhduken me skenar të parapërgatitur, duke shfryëzuar faktin e të qenit kompani të regjistruar në “parajsa fiskale”pa asnjë barrë siguruese të dukshme”thuhet në një deklaratë.
Konfindustria kërkon që hapi i parë serioz i vendimarrjes politike për të patur mundësi për zgjidhjen edhe të cështjes së rafinerëisë ish-ARMO, është që SPAK, BKH, SHIK dhe agjencite partnere të kryejnë zbulimin dhe vënia para përgjegjësisë ligjore të zotëruesve të vërtetë të kompanive “guackë”, të përfshira në skandalet në fushën e hidrokarbureve.
“Më pas, nëpërmjet vendimeve të gjykatës, të kalohet në konfiskimin e pasurisë personale të pronarëve të kompanive “guackë”. Njëkohësisht, kërkohet, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë pa vonesë projekt ligjin e vonuar prej mbi 5 vjet, të kërkuar me forcë edhe nga agjencitë e specializuara të BE, për detyrimin e bërjes publike të pronarëve të kompanive “guackë” në vend dhe ndalimin e pjesëmarrjes në sektorët strategjikë të ekonomisë dhe kontratat me shtetin” vijon deklarata.
Konfindustria deklaron se vetëm nga sektori i hidrokarbureve dëmet e pësuara për ekonominë, buxhetin, biznesin dhe qytetarët, llogariten në mbi 10 miliard dollarë.
“Në sa më sipër, nuk bëjnë pjesë dëmet e pallogaritshme në uljen e konkurencës së ekonomisë shqiptare, shëndetin, mjedisin, teknologji, etj.pasojë e cmimeve nga më të lartat në botë dhe cilësia e dobët e karburanteve në qarkullim në treg shqiptar. Vlera e dëmëve të shkaktuara nga keqfunksionimi i sektorit të hidrokarbureve vijojnë të shtohen cdo vit më qindra milionë dollarë” përfundon deklarata.