Konflikti me tragetet, pasagjerët: S’udhëtojmë më nga Vlora

Pas 6 orësh pritje në Radën e portit të Vlorës ka arritur të ankorohet trageti “Red Star” me 160 pasagjerë në bord.

Shkak për këtë situatë është bërë përplasja e orareve. Sipas autoriteteve portuale trageti i linjës Vlorë-Brindisi duhet të vinte në orën 15:00 në port, ndërkohë që ka mbërritur në orën 05:00 në radë.

Kjo ka bërë që rreth 160 pasagjerët në bord të rrinin me orë të tëra në anije duke pasur dhe probleme shëndetësore.

Vetëm në orën 11:00 ka nisur dhe zbarkimi i pasagjerëve. Këta të fundit shprehen të indinjuar madje thonë se do të refuzojnë herë tjetër të udhëtojnë nga porti i Vlorës pasi konfliktet nuk mund ti paguajnë ato.

Për këtë situatë ka reaguar Ministria e Transportit dhe Infrastruktures, e cila thekson se situata e krijuar në portin e Vlorës vjen për shkak të mos zbatimit të grafikut për operim.

“Grafiku i lëvizjeve është i miratuar nga organet kompetente per te garantuar sigurinë e pasagjereve dhe parakusht për të është kapaciteti në port dhe për këtë arsye askush nuk mund të dalë mbi ligjin.”

Ministria kërkon që Operatoret te zbatojnë direktivat e autoriteteve dhe se “agjencia e udhëtimit do të penalizohet nga organet kompetente sipas ligjit për këtë rast, ndërsa u kërkon agjensive te mos shesin bileta jashtë grafikut të miratuar”

Nga ana tjetër ministria kërkon që  qytetaret te informohen per grafikun e miratuar përpara se te udhëtojnë, grafik që mund ta gjejnë ne faqen zyrtare te Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës dhe në atë të Porteve.

SHKARKO APP