Konkretizim projekteve rajonale, autostradës Nish-Prishtinë-Durrës dhe Adriatiko-Joniane

 

Kryeministri Rama zhvilloi sot, një takim koordinativ me Kryeministrin e Kosovës Mustafa dhe Kryeministrin e Serbisë Vuçiç, në të cilin u diskutua rëndësia e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Durrës. Në këtë takim morën pjesë edhe drejtuesit e BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) dhe BEI (Banka Europiane për Investim), si edhe Ministri i Jashtëm austriak Kurz dhe Komisioneri Hahn.

Kryeministri Rama theksoi se te projektet e mëdha të infrastrukturës, qoftë autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, qoftë autostrada Adriatiko-Joniane, janë projekte europiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër është e rëndësishme që ndërtimi i këtyre dy projekteve të fillojë sa më shpejt dhe për këtë nevojitet ekspertiza dhe mbështetja financiare e Komisionit Europian dhe institucioneve financiare si BERZH dhe BEI. Ndërtimi i këtyre dy autostradave do të rrisë shkëmbimet tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të nxisë turizmin mes këtyre vendeve.

Kryeministri Vuçiç, duke theksuar rëndësinë e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, tha se falë këtij projekti, Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tre orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë.

Në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet, ndërkohë BERZH dhe BEI, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Europian, do të ndihmojnë në financimin e këtyre dy autostradave që do të lidhin Shqipërinë me vendet fqinje dhe Bashkimin Europian.

SHKARKO APP