Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, Manastirliu: 5600 nxënës të klasave të 9-ta, pjesë e fazës së dytë

Në të gjitha shkollat e vendit ka nisur sot faza e dytë e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, që do të zgjasë deri më 29 mars. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale momente nga zhvillimi i konkursit në disa shkolla të vendit.

“5600 nxënës të klasave të 9-ta nga të gjitha zonat e Shqipërisë përfaqësojnë në këtë fazë të dytë shkollat e tyre, duke sfiduar njëri-tjetrin, me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe komunikuese”, tha Manastirliu.

Faza e parë e konkursit Kombëtar të gjuhës shqipe për klasat e 9-ta u zhvillua më 12 mars. Konkursi zhvillohet në nivele lokale dhe kombëtare, ku 16 ekipet më të mira do të përballen në gjysmëfinalet, të cilat do të transmetohen drejtpërdrejt në ekranin e Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Ky konkurs ka tërhequr një vëmendje të veçantë, pasi zhvillohet në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Rëndësia e këtij konkursi qëndron jo vetëm në vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve në gjuhën shqipe, por edhe në kontributin e tij ndaj forcimit të identitetit kombëtar dhe kultivimit të një brezi të ri të përkushtuar ndaj trashëgimisë së tyre kulturore.

Përmes kësaj nisme, nxënësit inkurajohen të zhvillojnë dhe të shprehin dashurinë e tyre për gjuhën shqipe, duke u bërë ambasadorë të saj brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

SHKARKO APP