Konstituohet Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin, Braçe: S’do të përndjekim individë apo organizata
Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin është konstituuar ditën e sotme me votat e mazhorances, ndërsa opozita nuk mori pjesë.
Kryetari i këtij komisioni, Erion Braçe pohoi se komisioni në fjalë nuk ka si qëllim që të përndjekë individë apo gazetarë dhe organizata.
Sipas tij, ky komision do të mbledhë të dhëna dhe të organizojë një masë kritikë shoqërore të institucioneve publike dhe private.
”Ky komision nuk ka për qëllim të përndjekë as individë as organizata, por do të njohë, të mbledhë të dhëna dhe analizojë gjetje dhe të organizojë një masë kritikë shoqërore të institucioneve publike dhe private për t’iu përgjigjur në mënyrë të tillë, të organizuar, një lufte të organizuar të shteteve jo mike dhe qëllime të tyre malinje.
Ky komision është ngritur me vendim të Kuvendit dhe përbërja e tij është miratuar po me vendim të Kuvendit. Kuorumi është i plotësua për ditën e sotme, me anëtarët e përhershëm dhe zëvendësues, kam nderin që në mbledhjen e këtij komisioni është dhe Lindita Nikolla. Përtej vendimeve formale të Kuvendit, ngritja e këtij komisioni mbështet në dokumente të rëndësishme.
Dua të theksoj se ky komision nuk ka për qëllim të përndjekë as individë as organizata, por do të njohë, të mbledhë të dhëna dhe analizojë gjetje dhe të organizojë një masë kritikë shoqërore të institucioneve publike dhe private për t’iu përgjigjur në mënyrë të tillë, të organizuar, një lufte të organizuar të shteteve jo mike dhe qëllime të tyre malinje, të shtuara dhe për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndaj Shqipërisë si një faktor kyç pro perëndimor stabiliteti në Evropën juglindore anëtare e NATO-së dhe në negociata me BE”, tha Braçe.