Konsulli shqiptar: Kievi u detyrua të nënshkruante në Minsk
Tensionet Rusi-Ukrainë janë në pikun e saj, ku Moska ka ndërmarrë hapa konkretë. Konsulli i nderit i Shqipërisë në Ukrainë, Shahin Omarov thotë se që prej aneksimit të Krimesë, situata nuk ka qenë e qetë. Për të Ukraina u detyrua që të nënshkruante marrëveshjen e Minskut edhe pse nuk ishte aspak e dobishme për të.
“Aspekti negativ i marrëveshjes së Minskut për Ukrainën ishte fakti që pas nënshkrimit, Ukraina ishte e detyruar të njihte zyrtarisht liderët e rajoneve separatiste dhe të ndryshonte administrimin e shtetit”, shprehet Omarov.
Sipas konsullit, kushti kryesor i marrëveshjes ishte çtensionimi i sulmeve ushtarake në kufi ndërsa e konsideron njohjen e pavarësisë për dy rajonet në lindje si plan të nisur që para 8 vitesh. Po ashtu thotë edhe se “ajo që ndodhi mbrëmjen e së hënës ishte një mesazh i qartë për të gjithë komunitetin ndërkombëtar”.