“Kontrata e vaksinës është konfidenciale”, Meço i përgjigjet Ramës: Ta dimë, e blejmë sa frëngu, apo sa braziliani?
Nga Sonila Meço
Dakord, kontrata me prodhuesin e furnizuesin e vaksinës nuk publikohet për arsye konfidencialiteti.
Dhe po, siç e tha kryeministri, asnjë vend europian nuk e bën, më gjeni një e do jetë Shqipëria e dyta, tha.
Saktë! Asnjë mashtrim deri këtu.
Mirëpo, para se të japë përgjigje gjithë përtesë për publikun, çdo kryeministër i çdo vendi europian, muaj më parë i ka bërë transparencë popullit të tij, pas diskutimesh e debatesh të bëra në vend e parlament europian:
1. Plani dhe strategjia e vaksinimit. Komiteti etik ka argumentuar kush do vaksinohen të parët, të dytët, të tretët e me radhë dhe ku, në çdo pikë e jo vetëm në një stadium.
2. Sigurimi i rregullave të shpërndarjes, që të mbërrijnë saktë në çdo qytet e nyje ku do realizohet vaksinimi. Pra si në Tiranë edhe në Shkodër.
3. Pfizer dhe Biontech kanë bërë me dije se kanë vendosur çmime të përshkallëzuara sipas fuqisë financiare të shteteve, në tre ndarje: Kategori e pasur, e mesme dhe e varfër. Brazili p.sh e blen më lirë se BE. Çmimi me të cilin e merr Shqipëria duhet të jetë i njohur, të paktën përafërsisht. Që ta dimë, e blejmë sa frëngu, apo sa braziliani? Dhe pse ky çmim, kur nuk përtoi vetë kryeministri të niset në mes të të ftohtit e pandemisë të takonte CEO-n e Pfizer?
4. Kush mban përgjegjësi në vend për pasojat që mund të sjellë vaksina pas disa kohësh? Mjafton të ndjekësh Parlamentin Europian prej muajsh dhe ato kombëtare në Europë që tashmë e kanë të deklaruar publikisht: shteti dhe kompania prodhuese. Po tek ne? Se e lehtë të thuash “kontrata është konfidenciale” dhe kështu është, por homologët kanë bërë të qarta se kush mban përgjegjësitë, financiare, morale e ligjore.
5. Dhe e fundit, jo për nga rëndësia: Gjermania, Franca, Italia, Hollanda etj, këmbëngulën që kontratat me shitësin mos bëhen kombëtare, por si bashkësi për të siguruar akses të gjitha vendet e çdo person…por kur kujtohesh në dhjetor dhe shpresën e paske varur tek Bashkimi Europian, pse nuk u interesua Shqipëria ca më herët? Pse nuk u telefonuan miqtë kancelarë nga mjeshtri i lypjes?
Dhe më poshtë keni gatishmërinë e shprehur prej muajsh, theksoj “muajsh” nga BE për të siguruar akses për të gjithë.