Kontributi i VATRËS në Konferencën e Paqes në Paris 1919     

 Në 110 vjetorin e gazetës DIELLI/Pjesa e Dytë

 Nga Mal Berisha*

  Historia e”Vatrës” dhe “Diellit” bëjnë pjesë në fondin e artë të historisë së përpjekjeve shqiptare për liri, pavarësi dhe demokraci.

 Në vitin 1919, në prag të Konferencës së Paqes në Paris, “Vatra” i bëri thirrje Reverendit, Dr. Charles Telford Ericksonit, i cili në atë kohë kishte më shumë se dhjetë vite që shërbente për Shqipërinë, e dëshironte t’i bashkohej delegacionit shqiptar në Paris.

Ai më së pari do të duhej të shihte si po zbatoheshin “14 pikat e vetvendosjes së kombeve” të shpallura nga Presidenti Wilson, të cilat ishin në kundërshtim me Traktatin e Fshehtë të Londrës, që e coptonte Shqipërinë. Ericksoni takohet me gjeneralin Blis, një officer i lartë amerikan, babaxhan por që dinte pak ose aspak për Shqpërinë. Më pas takohet me kreun e divizionit të Ballkanit, dr. W.L Westerman dhe z. Clive Day. Tani mbetej vetëm të luftohej sesi të arrihej deri tek Presidenti Wilson!?

E vetmja rrugë për të arritur tek ai ishte Zonja Wilson, me të cilën Ericksoni kishte njohje të mëparshme, falë punës së përbashkët me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar. Ai i dërgoi një letër zonjës Wilson në të cilën i njoftonte qëllimin e tij.  Disa ditë më vonë ai merr një mesazh prej sekretarit të Presidentit ku i kërkohej një deklarim i pretendimeve të Shqipërisë, siç e kishte konceptuar delegacioni ynë.

Ishte një deklaratë e lëshuar nga Presidenti dhe botuar në Paris Press. Ajo fillimisht paraqiste shqetësimet për pretendimet e Italisë ndaj Fiumes dhe i hidhte poshtë si të bazuara thjesht në interesa dhe jo në parime. Presidenti deklaronte:  

 “…unë kundërshtoj që t’ju jap edhe atë që ju është garantuar prej traktateve tuaja të fshehta. Unë refuzoj të pranoj se, meqë qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka qenë palë në këtë traktat, (Traktati i Fshehtë i Londrës – shën.im, M.B.) të ketë qenë në fakt edhe tërësisht e panjohur me ato që janë vendosur aty. Rrethanat e reja e kanë transformuar atë në një copë letër pa vlerë.”

 Mëngjesin tjetër Presidentin e priste në tavolinë teksti i letrës së mëposhtme:

 Shkëlqesisë së tij Woodrow Wilson,

Presidenttit të Shteteve të Bashkuara Paris,

24 prill 1919

“Zotëri, A do të na lejoje ne, përfaqësuesve të një kombi të vogël, që gjithmonë i ka vlerësuar nderin, drejtësinë dhe guximin si virtytet më të larta, që t’u shprehim Juve mirënjohjen më të thellë për ndjesitë tuaja fisnike, të cilave ju i keni dhënë shprehje të tilla kaq të fuqishme? Në to ne shohim shpalljen e lirisë, njësoj si raca e zezë e vendit Tuaj i sheh të vetat në Shpalljen e paraardhësit Tuaj të nderuar, Abraham Linkolnit.”

Pasi vazhdojnë me shpjegime rreth historisë ata vazhdojnë:

 “Deklarata juaj, e botuar këtë mëngjes, (Në France Presse – shën im, M.B.) zhduk edhe gjurmën e fundit të asaj frike. Tani ne e dimë se çështja jonë humb vetëm nëse humbet çështja juaj, sepse të dyja janë një, dhe ajo do të ndodhë vetëm nëse vetë Zoti dështon, që do të thotë, KURRË pasi Kështu Shqipëria do të bëhej edhe një herë mish për top, siç është bërë kaq shpesh në të kaluarën”.

Në përgjigje të kësaj letre Presidenti Wilson iu thotë atyre:

Të dashur zotërinj,E kam vështirë që në mes të një ditë kaq të ngarkuar me punë t’ju tregoj si duhet se sa shumë jam gëzuar kur mora letrën tuaj të datës njëzet e katër prill dhe se sa thellësisht i interesuar jam unë të shoh parimet e paqes së vërtetë të zbatuara me besnikërinë më të madhe.

Me nxitimin më të pashmangshëm,

Sinqerisht i Juaji Woodrow Wilson (25 Prill 1919)

 Pas kësaj Ericksoni dhe delegacioni shqiptar ballafaqohen me pretendimet italiane për marrjen e Ishullit të Sazanit që e kërkonte Kryeministri Italian Orlando dhe kthimin e detit Adriatik në një Liqen Italian. Prandaj i shkruajnë përsëri Presidentit Wilson:

Shkëlqesisë së tij, Woodrow Wilson President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Zotëri, Delegacioni shqiptar iu është shumë mirënjohës për letrën tuaj aq të bukur të datës 25 prill dhe për sigurimet që Ju përsëri dhatë rreth qëllimeve tuaja për të vazhduar me vendosmërinë më të madhe përpjekjet për arritjen e një paqeje të përhershme. Duke njohur sinqeritetin tuaj rreth këtij qëllimi dhe qartësinë me të cilën ju i shihni kushtet qenësore për arritjen e një paqeje të tillë, ne guxojmë të sjellim në vëmendjen tuaj edhe një herë çështjen e Vlorës.”

 Letra e delegacionit është shumë e gjatë dhe trajton thuajse tërë problemet që kishte Shqipëria me fqinjët, Greqinë, Jugosllavinë dhe Italinë.

Në këtë kohë vërshuan memorandume nga tërë anët, duke filluar nga Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës, kolonitë shqiptare në Zvicër, Rumani, Turqi. Atyre iu bashkua Herbert Adams Gibbons, korrespondenti i veçantë i Associated Press, i cili i dërgoi Presidentit Wilson një telegram shumë të gjatë. Kështu bënë edhe shumë të tjerë. Më në fund, duket se gjithçka u zbut dhe nuk u dëgjua më asgjë në lidhje më këto pretendime.

Gjatë njërit prej diskutimeve me dr. Clive Day, Ericksoni, i sugjeroi atij se Hasan Prishtina mund të ftohej në Paris, duke veshur rrob

ën e një shefi shqiptar, me qëllim që të përfaqësonte banorët e maleve të Veriut të Shqipërisë, duke përfshirë territore të cilat i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 1913. Dr. Day, i impresionuar nga Ericksoni, e përshkroi atë si:

“…një njeri i besueshëm, inteligjent dhe që lufton me forcë që Shqipëria të bëhet më në fund një vend i pavarur.”

Ngjet që kabllogrami i Presidentit Wilson, dërguar zotërinjve Lloyd George, Clemenceau dhe Frank Polk, në Konferencën e Paqes në Paris e ndryshoi rrotën e historisë:

“As unë, as populli amerikan kurrë nuk do të pranojmë që populli shqiptar, i cili ka luftuar dy mijë vjet për lirinë e tij, të sakrifikohet për hir të ambicieve politike të fqinjëve të vet.

 Dhe këtu vuloset mbrojtja e Shqipërisë nga Presidenti Wilson, e cila ka në themel të saj kontributin e vyer të Vatrës dhe aktivistëve të saj.

“Vatra” me përfaqësues në Konferencën themeluese të Kombeve të Bashkuara në San Françisko, 1945

Më 25 prill – 26 qershor të vitit 1945, zhvilloi punimet konferenca e 50-të shteteve anëtarë themelues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Kina thirrën Konferencën e San Françiskos për të hartuar një tekst përfundimtar të Kartës së OKB-së, siç ishte rënë dakord në Konferencën e Jaltës, të mbajtur nga data 4 deri më 11 shkurt 1945. Ftesat iu dërguan fillimisht qeverive të 42 vendeve që kishin nënshkruar Deklaratën e Kombeve të Bashkuara më 1 janar 1942, ose që kishin miratuar deklaratën dhe u kishin shpallur luftë vendeve të bllokut fashist.

 Në këto kushte qeveria shqiptare e Enver Hoxhës nuk u lejua të merrte pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Françisko. Ishte Federata Panshqiptare “Vatra” e cila i doli edhe një herë për zot vendit të vet. Për të arritur atë që donte, ajo delegoi përsëri njeriun që i kishte kushtuar jetën Shqipërisë, pikërisht Charles Telford Ericksonin. Ai u autorizua të shkonte në San Françisko dhe të lobonte për Shqipërinë. Sado që ai nuk mund të ishte përfaqësues zyrtar me një ndenjëse në konferencë, përsëri ai, si njeri i njohur jashtëzakonisht mirë me çështjen shqiptare, duhej të gjendej pranë mjediseve të Konferencës. Ishte po e njëjta sjellje, po i njëjti qëllim, po e njëjta detyrë që Ericksoni kishte përmbushur 16 vjet më parë në Konferencën e Paqes në Paris, 1919:

 “Mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe lobimi me sa më shumë amerikanë që kishin forcë vendimmarrëse.’

Ai niset për në San Françisko dhe vendoset në hotelin “Manx”, prej nga do t’i shkruante letra Presidentit amerikan, Sekretarit të Shtetit dhe kryetarit të delegacionit amerikan, delegacionit britanik, në Konferencë dhe do të mbante korrespondencë me drejtuesit e “Vatrës”.

Më datën 11 maj 1945 Ericksoni i dërgon një letër kryetarit të delegacionit britanik, z. Anthony Eden, në të cilën i shpreh hapur pakënaqësinë e tij për faktin që Shqipëria nuk ishte ftuar në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Françisko. Ai i përcjell atij të njëjtin tekst që i dërgoi dy ditë më vonë edhe Kryetarit të Delegacionit Amerikan z. Eduard Stetinius. Ai shkruan:

“Jam i autorizuar nga Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Françisko për të kërkuar një përgjigje të përshtatshme ndaj çështjes që djeg zemrën e kësaj race krenare e të lashtë:

“Përse Shqipëria është përjashtuar nga anëtarësia në Kombet e Bashkuara?  …Shqipëria e përgjakur dhe e shkatërruar nga lufta, është lënë jashtë derës. Kjo ngre pikëpyetje dhe dyshime rreth një numri të madh çështjesh. A ka ardhur në jetë përsëri Traktati i Fshehtë i Londrës?”

Më datën 13 maj 1945 ai i shkruan Senatorit Arthur R. Vandenberg, Delegati i SHBA-ve në Konferencën e Kombeve të Bashkuara. Ndër tjera ai përmend:

“Ndihem si përfaqësues zyrtar i pesëdhjetë mijë shqiptaro-amerikanëve dhe një ose dy milionë të tjerëve në Ballkan, të cilët janë penalizuar për diçka – që ata vetë nuk e dinë çfarë është – me mohimin e pjesëmarrjes së tyre të merituar në Konferencën e Kombeve të Bashkuara.”

….Shqipëria nuk ka nevojë për një Traktat të Dytë të Londrës.”

Dhe vazhdon

“Ndoshta është qeveria e Enver Hoxhës që është Persona-non-grata në Departamentin e Shtetit?   A është (Amerika) e gatshme për t’i nderuar mijërat e ushtarëve shqiptaro-amerikanë në forcat tona të armatosura, që luftojnë në çdo front dhe që kanë dhënë edhe jetët e tyre? 

Unë jam përfaqësuesi i emëruar zyrtarisht i Federatës Panshqiptare të Amerikës, “Vatra” të Amerikës, e cila gjithashtu përfaqëson qeverinë e vërtetë të Shqipërisë me miratimin dhe mbështetjen që rrjedh prej shumicës dërrmuese të këtij kombi.”

Nga Senati i Shteteve të Bashkuara, Ericksoni merr në San Françisko, këtë përgjigje:

“… Ju mund të rrini i qetë për këtë, pasi unë do ta lexoj memorandumin tuaj me kujdes…

Përzemërsisht dhe besnikërisht i juaji Arthur H. Vandenberg, Senator, Nënshkruar”

Më pas ai korrespondon me gazetën e San Françiskos “Chronicle”, e cila me datën 13 Maj 1945 paraqiste pretendimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut dhe xhelozitë dhe konkurencën midis saj dhe Italisë ku shprehen hapur pretendimet territoriale ndaj të ashtuquajturit Vorio Epir.

Me interes është edhe korrespondenca e datës 14 maj 1945 e delegatit të Vatrës me Zyrën e Informacionit të Luftës në atë kohë e vendosur në New York, prej nga merr këtë përgjigje:

“I dashur dr. Erickson,

Ju falenderoj shumë për bashkëpunimin tuaj me Z. Stanley Silverman, shef i zyrës së OWI -it tonë në San Françisko. Mezi pres të marr lajmet tuaja mbi zhvillimet në Konferencën e San Françiskos. Qëllimi i seksionit shqiptar të “Zërit të Amerikës” është të nxisë mirëkuptimin midis popullit amerikan dhe atij shqiptar. 

I juaji sinqerisht Nelo Drizari”

(Shef i seksionit shqiptar Byroja e programit të radios Operacionet matanë detit.  Boston Mass. 15 maj 1945)

Me 14 Maj, ai i nis Presidentit të SHBA-ve Z. Harry Truman në Shtëpinë e Bardhë një letër ku ndër të tjera thuhet:

“Njëzet e pesë vjet më parë, Presidenti Wilson i dërgoi këtë kabllogram zotërinjve Lloyd George, Clemenceau dhe Frank Polk në Konferencën e Paqes në Paris, ku iu thoshte:

 “As unë, as populli amerikan kurrë nuk do të pranojmë që populli shqiptar, i cili ka luftuar dy mijë vjet për lirinë e tij të sakrifikohet për hir të ambicieve politike të fqinjëve të vet.”

Ai e shpëtoi Shqipërinë nga ndarja dhe zhdukja. Sot rreziku është përsëri i madh dhe unë ju kërkoj juve që të ndihmoni në emër të drejtësisë dhe të humanizmit.”

Me datën 15 Maj 1945 Ericksoni merr instruksionet e rradhës nga “Vatra” në Boston. Ata e lavdërojnë për punën që bënte, i premtojnë të botojnë raportet e tij në gazetën Dielli dhe i kërkojnë që të botojë materiale në Free World nëpërmjet francezit Louis Dolivet.

Në një rast Qerim Panariti, Sekretar i Vatrës dhe botues i Diellit (1892 – 1976) e mbyll letrën me fjalët:

“Nuk dua t’ju ngarkoj me më shumë gjëra në këtë kohë, me përjashtim të asaj që dua të them se po bëni punë të mrekullueshme. Telegrami drejtuar Presidentit ishte një ide e shkëlqyer. Peshkopi (Është fjala për Nolin) ju dërgon të falat më të përzemërta. Ju lutem më kujtoni me zonjën Erickson!

Sinqerisht, G.M. Panariti

Qerim Panariti (1892-1976).

Më pas ai merr letër nga Kryetari i Delegacionit të ShBA – ve me tekstin e mëposhtëm:

“E mora letrën tuaj të datës 13 maj në lidhje me Shqipërinë…I kam kërkuar një zyrtari të Shteteve të Bashkuara, z. Dewit C. Poole, të gjejë kohë për një takim me ju, në qoftë se do të dëshironit.” 

Kryetari i delegacionit të Shteteve të Bashkuara.

Më pas ai vazhdon korrespendencën me Stettinius-it dhe Vandenberg:

Në numrin e së dielës së 19 majit 1945, gazeta “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare “Vatra” boton në faqen e parë artikullin

 “Delegati i Vatrës në San Françisko”

“E quajmë të tepërt t’u themi këndonjësve tanë se cili është Dr. Charles Telford Erickson, i cili përfaqëson “Vatrën” në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Françisko. Mjafton të kujtojmë se Dr. Erickson ka më shumë se 35 vjet që punon për popullin shqiptar. Veprimet e tij në San Françisko do t’i botojmë në një raport të plotë kur të vijë koha.”

Çdo ditë e asaj Konference ishte e mbushur me shkrime, raporte, letra, kërkesa që ai i dërgonte në të gjitha drejtimet. Kështu nga Kalifornia ai i shkruante zotit Panariti me datën 24 maj 1945:

I dashur zoti Panariti,

“… po ju bashkëngjis kopjen e artikullit tim, siç e shkrova atë në Chronicle”. Ju lutem, shprehuni djemve falenderimet dhe vlerësimin tim për mundësinë që më dhanë, që të paktën të hidhja disa heshta në emër të Shqipërisë. Nëse një ose dy prej tyre goditën në shenjë, unë jam edhe më i lumtur.

Sinqerisht i juaji Charles Telford Erickson.”

Më pas delegati i VATRËS me datën 24 Maj 1945 dërgon një raport të plotë. Në të jepet e tërë veprimtaria e tij, korrespendenca dhe takimet me delegatë të Konferencës dhe me autoritete amerikane dhe delegatë të saj. Ai përmend memorandumet e dërguara Komandantit amerikan të Forcave të Armatosura, Stasen, senatorit Vandenberg dhe Sekretarit të Shtetit Stetinius. Mban kontakte me delegacionin Britanik nëpërmjet të Miss Wilkinson që e njihte që në Londër e cila e fton në një pritje të Konferencës; Takon sekretarin z. Rumford, që i tregon se memorandumi drejtuar Edenit do t’i përcillej atij, pasi tani për tani ai kishte ikurAi përmend edhe letrën dërguar Presidentit Truman dhe një letër të marrë nga Departamenti i Shtetit nëpërmjet të një zyrtari të çështjeve Ballkanike, i quajtur Canon ku i njoftohet marrja e letrës nga vetë Presidenti. Ai i thoshte:

“Shumëllojshmëria e problemeve që dalin nga lufta dhe çlirimi i atij vendi nga pushtimi tërheqin vëmendjen e përhershme të zyrtarëve të Departamentit të Shtetit”.

Motoja e punës së VATRËS në Konferencë siç i shkruan ai Vandenbergut ishte:

“Të kuptohej e vërteta mbi Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj të ndërlikuara në Ballkan”.

Më datën 1 qershor 1945 merr letër të drejtpërdrejtë nga Stanley H. Silverman Shef i seksionit të ngjarjeve të veçanta

Për dijeni: z. Nelo Drizari

Shef i deskut shqiptar, New York.

(Zenel Sulaj është emri i vërtetë i Nelo Drizarit, siç njihet në rrethet intelektuale).

Më pas “Vatra” nëpërmjet të delegatit të vet i nis këtë telegram Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Presidentit të SHBA-ve, z. Harry Truman më  datën 25 qershor 1945 në të cilën shkruante:

Shtëpia e Bardhë Uashington DC 25 qershor 1945

 I dashur z. President,

Mirësjellja juaj e pasqyruar në kthimin e përgjigjes së telegramit tim që ju dërgova nga San Françisko në emër të Shqipërisë më jep zemër që t’ju ofroj për konsideratë planin e mëposhtëm për zgjidhjen e situatës në Ballkan. Së shpejti ju do të takoni zotin Çurçill dhe Stalin në një konferencë, e cila ndoshta do t’i japë formë Europës së Pasluftës. Unë mendoj se e dini tashmë se Ballkani përbën problemin më të ndërlikuar dhe më të rrezikshëm, me të cilin ju do të ballafaqoheni. Nëse tridhjetë vjetët e mia të jetës atje ju vlejnë, atëherë do t’i vija në dispozicionin tuaj me kënaqësi…” 

Gazeta Dielli, 19 Maj, 1945

 

Gazeta “Dielli” me qendër në atë kohë në 168 Dartmouth Street, zyra 205 Boston Massachusets me datë 27 qershor 1945 boton proçesverbalin e Mbledhjes së Këshillit përpara antarëve letrat dhe memorandumet. Ata u gëzuan shumë dhe dhanë vlerësim të lartë dhe falënderime pa fund për punën e bërë në San Françisko. Ato u botuan në kronikat e “Diellit”.

Në atë kohë në Tiranë kishte arritur një delegacion civil i SHBA-ve ka i drejtuar nga z. Ernest Jacopbs.

Si përfundim, “Vatra” dhe Dielli luajtën një rol historik në momente kritike të kombit tonë. Prandaj “Vatra” mund të quhet me të drejtë: Qeveri shqiptare në Mërgim.

*Studjues dhe diplomat

PJESA E PARË: VATRA – “Qeveria shqiptare” në mërgim 

PJESA E DYTË: Kontributi i VATRËS në Konferencën e Paqes, Paris 1919     

SHKARKO APP