Kontrollorët e aeroportit të Rinasit janë emëruar nga ministrja Balluku kur ishte drejtoreshë

Kur shumica e kontrollorëve janë të emëruar nga PS-ja, qeveria apo familjarë të zyrtarëve socialistë, si ka mundësi që akuzohet për grusht shteti opozita dhe presidenti?-

Kriza në aeroportin e Rinasit me grevën e kontrollorëve ajrorë është një nga skandalet e shumta qeveritare, ku tani fatura politike po tentohet t’i kalojë Presidentit të Republikës dhe opozitës. Propaganda e Rilindjes dhe mediat e kontrolluar prej saj, prej një viti, nuk kanë raportuar asgjë për kërkesat e kontrollorëve. Sindikata e tyre i ka dërguar letra zyrtare kryeministrit Rama, ministres Belinda Balluku, Presidentit Meta, ambasadës amerikane dhe institucioneve ndërkombëtare.

Në letrat që janë bërë publike thuhet qartë se po u shkurtoheshin pagat, po punonin nën tension ndaj do të ndërmerrnin hapa të tjerë reagimi. I vetmi që ka kërkuar në rrugë institucionale zgjidhje të situatës dhe mos bllokimin e punës është Presidenti Ilir Meta. Kryeministri dhe ministrja nuk u kanë kthyer asnjë përgjigje punonjësve në varësi të tyre. U kujtuan për kërkesat e tyre vetëm kur kriza plasi kriza dhe përgjegjësit direkt për situatën ishin ministrja Balluku dhe Edi Rama.

Në situatën e rëndë të bllokimit ajror u duhej një skenar sabotimi dhe menjëherë gjetën Presidentin e Republikës, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha. Në këtë mënyrë, njerëzit harronin se kush e solli situatën në këtë pikë dhe përgjegjësinë ligjore që ka Edi Rama dhe Belinda Balluku. Fabula surreale që Ilir Meta, Berisha dhe Basha kanë vënë në rresht 60 kontrollorë dhe i urdhërojnë në një aksion diversantësh që të bllokojnë Rinasin dukej e përkryer për imagjinatën e Edi Ramës. Idiotët e rilindjes socialiste dhe punëtorët e medias që nuk e vrasin mendjen për faktet u ngazëllyen nga ky skenar dhe në media gjen pa fund histori sikur greva e Rinasit ishte protestë e opozitës dhe jo një reagim i punëtorëve që kërkojnë të drejtat e tyre. Teoria konspirative sikur Meta, Berisha dhe Basha bllokuan Rinasin dhe bënë një grusht shteti kundër Edi Ramës ka zënë vend në retorikën e fushatës elektorale të Edi Ramës. Në Gjirokastër dhe Fier dje ai u fliste fermerëve sesi ai, i vetëm, kishte mposhtur një grusht shteti nga opozita. Rama u fliste qytetarëve sesi ai zhbllokoi hapësirën ajrore me ndihmën e turqve dhe Erdogan, duke sjellë vaksinat i vetëm dhe duke hapur rrugën dhe për Forcat e NATO-s që do vinin në Shqipëri për stërvitje.

Një retorikë e tillë e përdorur nga kryeministri është një skenar haluçinant për grupe puçiste, grushte shteti dhe sabotime, njëlloj siç Enver Hoxha shpikte dikur grupet armiqësore në sektorët e ekonomisë. Në fakt, historia e Rinasit nuk ka vend për konspiracione dhe as skenarë imagjinarë për grushte shteti. Çështja është më e thjeshtë sesa mundohet ta justifikojë ministrja Balluku dhe Edi Rama. 60 kontrollorët që bënë protestën janë zgjedhur në këtë detyrë nga ministrja Balluku, kur ajo vetë ishte drejtoreshë e Albkontroll. Në Këshillin Mbikëqyrës të këtij institucioni drejtori është emëruar nga Edi Rama, ndërsa anëtarët janë zyrtarë të emëruar nga ministrja Belinda Balluku. Për të hyrë në një vend pune ku paga mesatare është 4 mijë dollarë duhej medeomos që procedura e aplikimit dhe punësimit kalonte nga Belinda Ballku.

Kur Rilindja mori pushtetin total në vitin 2013 u shkarkuan nga puna edhe pastrueset me 220 mijë lekë të vjetra në muaj dhe nuk ka shanse që në postet më të kërkuara me 4 mijë euro pagë mujore të mbaheshin njerëz me lidhje politike nga opozita siç pretendon ministrja Balluku. Lista e emrave të kontrollorëve dhe 300 punonjësve të tjerë të Albcontroll ka emra që janë njerëz të afërt, jo vetëm politikisht me PS, por edhe familjarë të tyre. Për shkak të pagave të larta, familjarë deputetësh dhe ministrash të PS janë sistemuar në këtë institucion vetëm falë lidhjeve politike. Rrogat e larta kanë bërë që Albcontroll të kthehet në një çerdhe militantësh të PS dhe njerëzish që janë aty vetëm falë lidhjeve nepotike me drejtuesit e rëndësishëm të Rilindjes, mund të lidhnin kontratë pune. Në të gjitha rastet, emërimi i tyre në punë është bërë nga Belinda Balluku ose drejtori aktual Mina Kusta, një tjetër eksponent i rëndësishëm i PS-së. Kur shumica e kontrollorëve janë të emëruar nga PS-ja, qeveria apo familjarë të zyrtarëve socialistë, si ka mundësi që akuzohet për grusht shteti opozita dhe presidenti? Si mundet Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha u mbushën mendjen familjarëve të PS me rroga 4 mijë euro në muaj të sabotojnë aeroportin? Nëse do flasim për teori konspirative, ka shumë mundësi që ministrja Balluku të ketë bërë një puç ndaj Edi Ramës duke urdhëruar vartësit e saj të bllokojnë aeroportin!

Pra ministrja ja ka futur Kryeministrit!

Ndaj skenari rilindas ishte që të krijonte një ide publike sikur Presidenti dhe Opozita e bllokuan Rinasin që të mos vinin vaksinat dhe populli të vdiste. Por të gjithë ata janë emëruar dhe kontraktuar nga ministrja Balluku kur ishte drejtoreshë e tyre.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP