Konventa e LSI, Braimllari: Dekada e shpresës, hapja e partisë për të rinj profesionistë
LSI mblodhi ditën e sotme Konventën me strukturat drejtuese të Tiranës.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari ishte i ftuar ditën e sotme për një intervistë në televizionin Report Tv, për të folur mbi zhvillimet e kësaj konvente, por jo vetëm.
Braimllari theksoi se nga kjo konventë nis një dekadë e re, e cila prek edhe strukturat e LSI-së.
Duke përforcuar mesazhin që Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi përçoi nga kjo Konventë, Braimllari u shpreh se LSI është e hapur si forcë politike për të mirëpritur të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen, të sjellin alternativën, idetë apo propozimet e tyre për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria.
Pjesë nga intervista e Braimllarit për Report Tv
Kjo për të rritur edhe nivelin e strukturimit edhe në qytete të tjera, ishte e pritshme për ju kjo?
Po, është brenda funksionimit tonë, si drejtues apo si anëtarë. Unë si sekretar i përgjithshëm, por edhe si anëtar i kryesisë së LSI-së kemi bërë herë pas here organizime të tilla ku kemi deleguar nëpër qarqe të ndryshme për të fuqizuar edhe rolin e strukturave të LSI-së, por edhe për të qenë sa më pranë qytetarëve në këto qarqe, ajo çka është më e rëndësishme është që LSI-ja e fillon vitin më datë 4 janar me një konventë, ku edhe në fjalën e saj kryetarja e bëri shumë qartë propozimin e saj për aksionin e ardhshëm politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është fillimi i një dekade të re, ku fillimi i saj i prek strukturat e LSI-së duke u hapur ato, pra fjala kryesore dhe mesazhi që kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dha sot ka të bëjë kryesisht me hapjen e LSI-së, ofrimin e LSI-së çdo pedagogu, çdo të riu dhe të reje, çdo intelektuali që ka dëshirë të promovojë idetë e tij me qëllim që ti shërbejë vendit, sot Shqipëria ka nevojë për një energji të re, sot Shqipëria ka nevojë për një frymë të re.
Sot Shqipëria ka nevojë për shpresë dhe shpresa kthehet duke krijuar ekipe gjithëpërfshirëse, ekipe që hapen në këtë drejtim dhe që ofrojnë të gjithë faktorët e aktorët, të cilët duan të shërbejnë vendit. Kjo sot është më e rëndësishme për ne. Pra LSI ka vendosur të hapë strukturat e saj në këtë drejtim duke i bërë gjithëpërfshirëse, me qëllim që të jetë sa më pranë qytetarëve. Jo vetëm me këto struktura që deri më sot kanë përfaqësuar LSI-së, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Pra në 15 vite LSI kanë sjellë një risi të jashtëzakonshme në klasën politike shqiptare. Të mos harrojmë që LSI është forca e të rinjve, pra promovimi i të rinjve në LSI është thelbi kryesor, qoftë e kryetarit që ka qenë më parë, të zotit Meta, por edhe të zonjës Kryemadhi, ka në fokus kryesor promovimin e të rinjve. Ashtu sikurse unë kam ardhur nga strukturat e rinisë dhe sot jam Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, por ne e kemi përfaqësuar në mënyrë dinjitoze dhe në Parlament, me shumë të rinj, por edhe me këshillat bashkiakë. Pra fokusi dhe linja kryesore është përfaqësimi i të rinjve dhe i gruas në parti.
Nga ana tjetër një pjesë shumë e rëndësishme të Kryetares së LSI-së, që ju e ndoqët drejtpërdrejtë, ka të bëjë kryesisht me hapjen e LSI-së për sa i përket figurave të reja, duke filluar nga profesorë të rinj, të cilët janë shumë të talentuar dhe dëshirojnë të japin kontribut në politikë bërje, të japin kontribut në hartimin e politikave të cilat do të shërbejnë për të ngritur shpresën në vend.
Në bazën e këtyre opinioneve dhe mendimeve që vijnë si rezultat i takimit të kryetares së LSI-së të drejtë për drejtë me qytetarët por dhe strukturave të LSI në terren, ne po hartojmë strategjinë tonë e cila filloi sot kryesisht më Tiranën dhe do të vazhdojë Elbasanin, Korçën, Beratin, Fierin, Vlorën dhe gjithë qarqet e tjera në ditët në vijim.
Qëllimi kryesor është që ky vizion i funksionimit të LSI të jetë i prekshëm për qytetarët. Një parti politike nëse nuk e ka vizionin e saj të qartë dhe të prekshëm për qytetarët asnjëherë nuk do të bëhet realitet.
Sot kryetarja e LSI i bëri thirrje çdo qytetari, çdo intelektuali, çdo profesori të ri, çdo të riu dhe të reje që ka studiuar jashtë të rikthehet dhe të japi kontributin maksimal sot LSI është e hapur për këdo i cili ka dëshirë që të japi kontribut dhe të hedhë ide në shërbim të një kauze kombëtare që është ngritja e shpresës, rikthimi i besimit në vend që të rinjtë të kthehen në vend dhe ekonomia të eci përpara pa dallim bindje politike.