Korçë, babai i dehur qëllon me kallash djalin e tij të vetëm

 

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Pojan të Korçës, mbrëmjen e së hënës.

Kryefamiljari Romeo Nako sapo u kthye në shtëpi, rreth orës 21:20 , pas një grindjeje për motive të dobëta në prani edhe të bashkëshortes pasi ishte i dehur, mori armën e zjarrit tip kallashnikov dhe qëlloi drejt djalit të tij 15 – vjeçar.

Më pas kanë ndërhyrë fqinjët që dëgjuan krismat dhe dërguan menjëherë drejt spitalit adoleshentin. Ndonëse ishte plagosur në gjymtyrë, i riu u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Korçës, ku sipas mjekëve, mbërriti në gjendje të rëndë për jetën për shkak të sasisë së gjakut që kishte humbur. Ai paraditen e sotme është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, teksa vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën. 

Policia tha se sapo u njoftua, mbërriti pak minuta pas ngjarjes në shtëpinë ku ndodhi krimi. Blutë e Korçës pas pak momentesh kanë arrestuar autorin e ngjarjes Romeo Nako, që dyshohet se ka qëlluar djalin e tij të vetëm, nën efektin e pijeve alkoolike.

Janë shoqëruar në komisariat edhe dëshmitarë dhe fqinjët për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Ata kanë thënë se  autori vuante nga leuçemia dhe për këët shkak duket se e kishte shtuar pijen. Por haste shpesh në kundërshtimin e familjarëve dhe mbrëmjen e së hënës, pas hetimeve paraprake, oficerët e policisë thonë se ai ka qëlluar në gjendje të pavetëdijshme.    

Romeo Nako ndodhet aktualisht i izoluar në komisariat, ku edhe pritet të kthjellohet për t’i marrë dëshminë pas ngjarjes. Ndërkohë që akoma edhe më e tronditur është nëna e djalit të plagosur, e cila ende nuk e ka dhënë dëshminë e saj pasi është duke shoqëruar të birin pas plagosjes.

Dhuna në familjet shqiptare sa vjen dhe shtohet, madje e nxitur edhe nga kushtet e vështira ekonomike nga shënon edhe krime të tilla tronditëse.

SHKARKO APP