Koreja e Veriut lëshon dy raketa si përgjigje ndaj nëndetëses amerikane

Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Detin Lindor gjatë mëngjesit të së mërkurës, si përgjigje ndaj vendosjes së një nëndetëseje amerikane që mban armë bërthamore në Korenë e Jugut.

Shefat e përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut (JCS) thanë se midis orës 3:30 dhe 3:46 të mëngjesit, Koreja e Veriut gjuajti dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga një zonë pranë kryeqytetit Phenian.

Ato fluturuan rreth 550 kilometra, para se të binin në det në lindje të gadishullit korean.

Ushtria japoneze raportoi se raketat ranë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë dhe se deri tani nuk ka raportime për dëmtime të anijeve apo avionëve në atë zonë.

Nga JCS-ja i bënë thirrje Koresë së Veriut që t’i ndërpresë lëshimet e tilla.

“Ne dënojmë fuqishëm lëshimet e njëpasnjëshme të raketave balistike të Koresë së Veriut dhe i shohim si akte të rënda provokuese që minojnë paqen dhe stabilitetin e gadishullit korean, si dhe komunitetin ndërkombëtar, dhe janë një shkelje e qartë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha JCS-ja në një deklaratë për media.

Ushtria amerikane tha se ishte në dijeni për këto lëshime të raketave dhe ishte duke u konsultuar ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj.

Gjatësia e fluturimit të raketave të Koresë së Veriut përputhet me distancën midis Phenianit dhe qytetit të Koresë së Jugut, Busanit, ku nëndetësja amerikane USS Kentucky mbërriti të martën pasdite.

Kjo është dërgesa e parë e një nëndetëseje amerikane të armatosur me armë bërthamore në Korenë e Jugut që nga vitet 1980.

Më 12 korrik Koreja e Veriut testoi një raketë të re balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurta, që tregoi se mund të arrijë potencialisht thellë në kontinentin amerikan.

Nisja u mbikëqyr nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili është zotuar të forcojë më tej aftësitë bërthamore të vendit të tij përballë zgjerimit të aktiviteteve ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Raketat u lëshuan në një kohë kur SHBA-ja dhe disa vende të tjera po përpiqen të sigurojnë lirimin e një ushtari amerikan, që u arrestua një ditë më parë kur kaloi pa leje kufirin nga Koreja e Jugut për në Korenë e Veriut.

“Një shtetas amerikan në një turne orientues kaloi, pa autorizim, vijën e demarkacionit ushtarak në Republikën Popullore Demokratike të Koresë”, tha Komanda e OKB-së në Twitter.

“Ne besojmë se ai është aktualisht në paraburgim në Korenë e Veriut dhe po punojmë me homologët tanë për ta zgjidhur këtë incident”, shtoi ai, duke iu referuar Ushtrisë Popullore të Koresë së Veriut.

Forcat e Koresë së Jugut dhe SHBA-së kanë kryer stërvitje ajrore dhe detare gjatë këtij viti.

Vendosja e nëndetëses në ujërat jugkoreane është pjesë e përpjekjeve së Uashingtonit për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të Koresë së Veriut që kryen vazhdimisht testime të armëve bërthamore. REL

SHKARKO APP