Korniza e negociatave shkon në Këshill, prezantohet me 17 qershor
Komisioni Europian ka tani gati kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore dhe do ta paraqesë atë përpara Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 17 qershor. Megjithatë hapja zyrtare e negociatave nuk ka ende një datë, pasi korniza duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare dhe vetë Shqipëria duhet të përmbushë të paktën 15 kushte.
Pasi Tirana dhe Shkupi zgjidhën mosmarrëveshjet politike, kryesisht të lidhura me zgjedhjet e ardhshme në të dy vendet kandidate, tani Komisioni Europian është gati t’i paraqesë më 17 qershor Këshillit të BE-së kornizën e negociatave. Korniza është dokumenti bazë që përcakton mënyrën se si do të zhvillohen bisedimet e pranimit me të dy vendet.
Më pas korniza do të shqyrtohet nga secili vend anëtar dhe varianti përfundimtar do të miratohet nga samiti i udhëheqësve të BE-së në muajin tetor.
Dokumenti pritej që t’i paraqitej Këshillit që më 8 qershor, por duket se Brukseli priti zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në Tiranë dhe Shkup.
Në Tiranë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje mes palëve për reformimin e kodit zgjedhor ndërsa në Shkup, u prit derisa partitë politike ranë dakord për datën e re të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për të cilat u vendos 15 korriku.
Ndërsa për Maqedoninë Veriore nuk ka pengesa dhe kushte paraprake për të thirrur konferencën e parë ndërqeveritare, për Shqipërinë vendimi i hapjes së negociatave përmban edhe plotësimin e 15 kushteve.
Midis tyre renditen funksionimi i institucioneve të reja të drejtësisë, nisja e hetimeve për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar vetting-un apo edhe shqyrtimi i legjitimitetit të zgjedhjeve të fundit vendore, në të cilat në mbi 60 për qind të rasteve kishte vetëm një kandidat në garë.
Një gjë e tillë pritet të përfshihet edhe në një rezolutë të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor me propozimin e grupit të Partive Popullore Europiane, i afërt me opozitën shqiptare.
/Ora News