“Koronavirusi anglez” mbërrin dhe në Itali, mediat: Është shumë ngjitës! Simptoma të lehta për një makth të ri
“Virusi anglez mbërrin dhe në Itali”, janë titujt e mediave italiane këtë të hënë, pas konfirmimit të rastit të parë në këtë shtet, të një personi të infektuar me variantin e ri të koronavirusit që u shfaq në fillim në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka vendosur në alarm Evropën.
Një grua nga Roma ka rezultuar e prekur nga ky lloj i ri i koronavirusit dhe së bashku me burrin e saj janë izoluar, shkruan Corriere.it.
Por ky lloj i ri i virusit, nuk ka rezultuar deri tani të ishte më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave, por është në gjendje të përhapet më shpejt, pras shumë infektues.
“Pak më shumë se thjesht një e ftohur. Simptoma të lehta për një makth të ri. “Varianti anglez” i koronavirusit ka zbarkuar në Itali disa ditë më parë, por lajmi u bë i ditur vetëm mbrëmë, pas bllokimit të fluturimeve nga Mbretëria e Bashkuar dhe mbërritjes së avionëve të fundit nga qytetet britanike: qindra pasagjerë, pothuajse të gjithë italianë, njëri prej tyre mjek i dyshuar pozitiv dhe tani rasti i tij po hetohet”, shkruan Corriere.it.
Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, shpjegoi në një intervistë në mediat italiane se Italia si masë paraprake ka vendosur të bllokojë fluturimet për në Britaninë e Madhe, “për t’u dhënë mundësinë shkencëtarëve tanë të kuptojnë shkallën e virusit me të cilin përballemi”.
Fakti që virusi eshte shume ngjites konfirmohet nga profesori Walter Ricciardi, i cili të Dielën tha: “Nuk është një formë më agresive ose vdekjeprurëse, por është shumë më ngjitëse. Në Mbretërinë e Bashkuar ka pasur një rritje të papritur të rasteve dhe sot ka arritur gati 36 mijë infeksione, një rekord”.