Koronavirusi/ Gjata: Mbi 2800 punonjës të shëndetit i janë përgjigjur thirrjes, në Shqipëri 70% e popullatës do preket

Koordinatori i vullnetarëve nga fusha e mjekësisë për koronavirusin, Rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata ka folur në studion e News24 për situatën e krijuar nga koronavirusi dhe atë çfarë po bëhet për parandalimin e përhapjes së shpejtë të këtij virusi të rrezikshëm.

Ai tha se sot ka nisur trajnimi i grupit të parë të studentëve të mjekësisë që do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve me informacione.

“Sot ka filluar grupi i parë i studentëve. Dua t’ju bëj me dije se në numrin 08004040 kushdo qytetar mund të marrë informacion në lidhje me koronavirusin apo çdo problem që ka me problemet shëndetësore që nga recetat tek mjekët e familjes, mënyra si do komunikojnë me mjekët e familjes. Është kjo linjë e gjelbër.

Janë njerëz që do trajnohen dhe nga më të aftët për t’iu përgjigjur publikut. E rëndësishme që qytetarët të marrin përgjigje për gjithë problemet që mund të kenë. Do jenë të trajnuar me gjithë problematikat. Nëse nuk janë në gjendje të përgjigjen do kërkojnë informacion, do pyesin”, tha Gjata.

Ai deklaroi se janë mbi 2800 mjekë e infermierë që i janë përgjigjur thirrjes për t’iu bashkuar vullnetarëve për COVID-19.

“Sot kam gjithë listën që kam marrë nga urdhri i mjekëve, të gjithëve dhe ata në sistem privat apo në klinikat e tyre. E kemi listën dhe nesër do mblidhet taks forca për burimet njerëzore për të parë si do veprojmë. Kemi një listë tjetër, 2897 punonjës të shëndetit, duke filluar nga infermierët dhe specialitetet e tjera, që i janë përgjigjur thirrjes dhe janë regjistruar në këtë portal që është hapur, portal për vullnetarë për COVID-19. Ishte emocionuese për të gjithë ne, sepse kjo tregon se ky vend ka shpresë”, tha Gjata.

Ai deklaroi po prodhohen një grup ilaçesh nga OBSH por kërkojnë kohë. “Vaksina kërkon nga 8 muaj deri në 1 vit e gjysmë kohë. Dhe në Shqipëri 70% e popullatës do preket por ideja është se në sa kohë do preket.

Përpjekja është që të progresojë në mënyrë të ngadaltë virusi. Kështu që sistemi shëndetësor ka mundësi t’i presë e t’i trajtojë. Nëse ty të vijnë mijëra pacientë në ditë si në Itali, ti del jashtë mundësi dhe falimenton çdo sistem shëndetësor”, deklaroi Gjata.

Ai tha se ne do të ishim të lumtur nëse do të ngeleshim tek 3 spitale që janë rreth 450 shtretër. “Janë marrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur dhe skenarit më të keq. Mund të ketë dhe skenar si në Itali që nuk sistem që mund t’i përgjigjet.

Një miku im në Bergamo më shkruante këtu nuk ka as ortoped, as mjekë të tjerë, jemi kthyer të gjithë në ndihmës reanimatorë”, tha Gjata.

SHKARKO APP