Koronavirusi, Manastirliu: Janë 32 pacientë tek Efektivi. Do sjellim laborator të ri për 2 javë, ja numri i ri i Urgjencës për të na telefonuar
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu me anë të një lidhje live në “News 24” tha se janë 32 pacientë me koronavirus tek Efektivi dhe se nga këta, 3 janë në një gjendje disi më të rëndë.
Manastirliu u shpreh se do të sillet tek Spitali Efektiv shumë shpejt një laborator i ri, brenda 2 javësh.
“Ne po përmirësojmë të gjitha kapacitetet. E rëndësishme është që jemi të gjithë të fokusuar për të shërbyer sa më mirë. Mjekët janë në frontin e parë të luftës me këtë armik të padukshëm. Janë 32 pacientë me koronavirus, 3 nga të cilët janë në një gjendje më të vështirë. Ne kemi dyfishuar respiratorët në infektiv. Kemi dysfishuar kapacitetet në infektiv. Do sjellim laborator të ri për 2 javë në QSUT. Janë siguruar masa edhe për të mbrojtur mjekët. Ne mund t’ia dalim në bashkëpunim me qytetarët. Ne do të ndihmojmë, sidomos moshën e tretë për të marrë veten nga ky virus. Qytetarët janë të ftuar që të mbajnë distancën sociale”, tha Manastirliu.
Ogerta Manastirliu theksoi se do të vendoset një numër urgjence duke filluar nga dita e sotme.
“Po kemi menduar një zgjidhje tjetër, pavarësisht se Qendra Kombëtare e Emergjencave ka mundësinë për të përballuar emergjencat. Kërkojnë ndihmë edhe ata që kanë nevojë për ndihmë për Covid 19, por edhe ata që duan informacion për koronavirusin. Kemi hapur numrin 0800 40 40, që do jetë shumë shpejt në dispozicion të qytetarëve që të ketë informacion për Covidin. Me këtë numër, të moshuarit marrin ndihmë nga mjeku i familjes. Kjo është linjë e dedikuar, e cila bëhet funksionale ditën e sotme”, u shpreh ajo.