Koronavirusi në Europë/ Ekspertët paralajmërojnë: Shansi i fundit për të parandaluar bllokimin…

Zyrtarët evropianë të shëndetësisë u kërkuan të enjten në Bruksel vendeve anëtare të ndërmarrin hapa për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit në vendet e tyre për të parandaluar rikthimin e masave të izolimit, të cilat ata i konsideruan shkatërruese për ekonominë.

Ata thanë se me afrimin e motit të ftohtë është e nevojshme të shmanget një epidemi gripi në të njëjtën kohë me koronavirusin. Paralajmërimet vijnë ndërsa pjesa më e madhe e Evropës po sheh një rritje të rasteve me COVID-19 dhe një raund të ri masash kufizuese që synojnë ndalimin ose të paktën ngadalësimin e përhapjes së infeksionit.

Duke folur në një konferencë shtypi, komisionerja për Shëndetësinë e BE-së Stella Kyriakides tha se ky është një moment vendimtar për organizatën dhe mund të jetë siç shtoi ajo, shansi i fundit për të parandaluar një përsëritje të bllokimeve që u vendosën në pranverë e që paralizuan ekonominë e rajonit. Zonja Kyriakides tha se disa shtete anëtare po shohin situata që janë edhe më të rënda sesa gjatë kulmit të pandemisë në mars.

“Është arsye vërtet për t’u shqetësuar. Për të qenë me të qartë, kjo do të thotë se masat e marra thjesht nuk kanë qenë mjaft efektive ose nuk janë zbatuar ose ndjekur siç duhej të ishin”, tha ajo. Zonja Kyriakides pranoi se zyrtarët po përballen me atë që ajo e quajti “lodhje nga COVID-19”, që shoqërohet me një shpërfillje të dukshme të distancës fizike e rregullave, shoqëruar madje me disa protesta, të tilla sikurse demonstratat kundër maskave dy javë më parë në Romë.

Duke folur gjatë së njëjtës konferencë për shtyp, drejtorja e Qendrës Evropiane për Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) Andrea Ammon theksoi nevojën për masa thelbësore, të tilla si distancimi fizik, mbajtja e maskave dhe larja e duarve. Ajo tha gjithashtu se qeveritë duhet të kenë kapacitete të mjaftueshme testuese, të kryejnë gjurmimin rigoroz të kontakteve, mundësi të mira për karantinë si dhe komunikim më të mirë mbi rreziqet.

Zonja Kyriakides tha gjithashtu se ndërsa moti bëhet më i ftohtë në Evropë, nevoja për vaksina kundër gripit rritet. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se viruset sezonale të gripit shkaktojnë mes katër deri në 50 milionë infeksione çdo vit në të gjithë rajonin dhe rreth 15 deri 70 mijë evropianë vdesin çdo vit për shkaqe të lidhura me gripin.

Të rriturit, të cilët paraqesin rrezik të lartë për t’u prekur nga gripi janë gjithashtu më të rrezikuarit nga koronavirusi. Sipas një studimi të publikuar nga shkencëtarët e Shëndetit Publik në Angli (PHE) thuhet se rreziku për të vdekur është dyfish më i lartë tek ata njerëz që rezultojnë si pozitivë ndaj gripin ashtu edhe koronavirusit, krahasuar me ata që kanë vetëm koronavirus./ VOA

SHKARKO APP