Koronavirusi/Rritet gatishmëria, masa dhe në aeroport
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka mbledhur ”Task-Forcën” e institucioneve të shëndetësisë dhe ekspertëve për të koordinuar masat për koronavirusin e ri i cili ka përfshirë Kinën dhe ka shkaktuar 81 viktima deri tani dhe mijëra persona të prekur.
Instituti i Shëndetit Publik ka përforcuar survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Është përgatitur përkufizimi i rastit, udhëzimet për survejancën, hetimin epidemiologjik dhe menaxhimin e rasteve në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit.
”Situata po menaxhohet bazuar në rregulloren ndërkombëtare të shëndetit dhe çdo veprim është në koordinim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Edhe pse në lidhje me interferencën me udhëtimet dhe tregtinë ndërkombëtare OBSH nuk rekomandon ndonjë kufizim të udhëtimeve bazuar në informacionin aktual të pranishëm, ne kemi marrë masa për të rritur survejancën në aeoport me njësinë tonë të përhershme të shëndetësisë. Janë riaktivizuar protokollet përkatëse dhe janë marrë masa për rritjen e survejancës”.