Koronavirusi/Voda: Policia ka marrë të gjitha masat, janë trajnuar punonjësit
Policia ka marrë të gjitha masat sipas rregullores ndërkombëtare të shëndetësisë në kuadër të masave të ndërmarra në situatën e krijuar nga koronavirusi. Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare ka sqaruar se në ndjekje të zbatimit të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetësisë dhe urdhrit të Ministres së Shëndetësisë, janë marrë masa në të gjitha pikat kufitare. Sipas saj, janë trajnuar të gjithë punonjësit e policisë që janë angazhuar në marrjen e masave parandaluese.
”Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nisur nga situata e krijuar, në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetësisë, urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 423/6, datë 31.01.2020, me lëndë: “Kërkesë për marrje masash, për caktimin e ambienteve për karantinë”, u vendos për bashkërendimin e masave për kontrollin e pasagjerëve që mund të vinin nga zonat e rrezikuara me koronavirus, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Duke patur parasysh nevojën e menjëhershme për parandalimin dhe mbrojtjen e popullsisë nga rreziku i përhapjes të sëmundjes, si dhe ruajtjen e sigurisë publike nëpërmjet masave që duhet të merren për strehimin dhe ekzaminimin e shtetasve të ardhur nga zonat e prekura me koromavirus, nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si institucion përgjegjës dhe administrator i objekteve të Pikave të Kalimit Kufitar, në koordinim të përbashkët me Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Institucionet Shëndetësore Rajonale, bëjmë me dije se në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar janë përcaktuar ambientet e kërkuara për këtë qëllim, ku dhe është prezent shërbimi mjekësor”.
Në bashkëpunim me ISHP janë marrë masat në gjashtë drejtime.
Së pari, janë vendosur në të gjitha kabinat formularët për intervistimin, për të gjithë shtetasit që kanë vizituar Republikën Popullore të Kinës dhe paraqiten në hyrje të Republikës së Shqipërisë. Pyetja që u bëhet pasagjerëve është: Nga është vendi i origjinës së udhëtimit tuaj? Keni udhëtuar 2 javët e fundit nga Republika Popullore e Kinës?
Së dyti, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasagjerët që udhëtojnë nga zonat aziatike, merren në intervistë nga shërbimi shëndetësor i dislokuar, në lidhje me shenjat që mund të kenë shfaqur gjatë udhëtimit.
Së treti, në ambientet e brendshme të Stacioneve të Policisë Kufitare, janë vendosur posterat informues në gjuhën angleze dhe shqipe, në lidhje me masat që duhet të marrin për t’u mbrojtur nga ky virus dhe shenjat e prekjes nga kjo sëmundje.
Së katërti, krijimi i dhomës karantinë, nëse konstatohet ndonjë rast i prekjes me koronavirus.
Së pesti, janë vendosur dezinfektues duarsh në të gjitha kabinat.
Së gjashti, punonjësit që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pasagjerët në hyrje apo dalje, janë pajisur me doreza plastike dhe maska mbrojtës.