“Korrupsioni, trafiqet, vjedhja e votave dhe ndikimi turk”, të gjitha kritikat e eurodeputetëve kundër Ramës
Komisioni Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian ka zhvilluar sot një seancë të posaçme për Shqipërinë. Në seancën është diskutuar për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe plotësimin e 15 kushteve. Të gjitha fjalimet e mbajtura nga eurodeputetët kanë qenë të ashpra kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm më PE, politikani gjerman, David McAllister tha gjatë fjalës së tij se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për integrimin duke nisur që nga implementimi i reformës zgjedhore.
“Më lejoni të hap diskutimin me marrëveshjen e vështirë mbi reformën zgjedhore mes partive politike në 5 qershor. Kolegë, reforma zgjedhore është një kusht kyç për hapjen e negociatave së bashku me implementimin e saj para zgjedhjeve të vitit 2021. Hapa të tjerë janë funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Një pjesë e mire e jona këtu në Komisionin për Marrëdheniet me Jashtë u shqetësuan nga metoda e përdorur në prishjen e Teatrit Kombëtar në 17 maj. Kjo u kritikua si shkatërrim i trashëgimisë europiane, duke i dhënë një goditje tjetër dialogut dhe kompromisit mes palëve. Në ripërsërisim thirrjen tonë që palët politike të punojnë bashkë dhe të lënë pas metodat e bojkotit për të forcuar rrugën e vendit në Bashkimin Europian”, tha McAllister.
Michael Gahler, zëdhënësi i Partive Popullore Europiane dhe eurodeputet i CDU, deklaroi se PE nuk ka ende informacion se çfarë po bëhet me hetimin dosjeve për vjedhjen e votave. “Nuk po listoj të 15 kushtet, por po ndalem tek njeri prej tyre; tek ai që ka të bëjë me blerjen e votës dhe me manipulimin e votës. Ka dy çështje: dosja 184 ne Dibër dhe dosja 339 në Shijak. Ato po hetohen prej tre vjetësh, por nuk kemi akuza nga prokuroria, por vetëm lajme se po pengohet drejtësia. Kjo edhe mbasi zyrtarë nga shtetet anëtare kanë apeluar që në këto raste të ketë hetim e përballje me gjykatën. A mendoni se do të kemi zhbllokim të këtyre dy rasteve kur të prezantoni Kuadrin Negociator? A ja keni bërë të qartë këtë kusht qeverisë, shoqërisë civile dhe publikut shqiptar?”,- tha ai.
Michael Gahler tha se do të ngrinte edhe çështjen e reformës në drejtësi. “Tani që është publikuar opinioni i Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese, a do të mbështesim ne tashti rekomandimin e Venecias për një rishikim të reformës në drejtësi?”,- tha eurodeputeti.
Eurodeputeti Zimniok Berngard tha se nuk ishte i bindur nëse Shqipëria do të plotësonte kushtet për hapjen e negociatave. Ai deklaroi se Shqipëria është cilësuar si një nga vendet më të korruptuara dhe me nivel të lartë të krimit të organizuar. “Nuk jam i bindur se Shqipëria do t’i implementojë reformat e nevojshme për hapjen e negociatave. Shqipëria është cilësuar si vendi më i korruptuar dhe me krim të organizuar të lartë”,- tha Zimniok Berngard.
Ndërsa eurodeputeti David Lega është shprehur se “qeveria Rama tregohet shumë e ashpër me gazetarët dhe shumë e butë me trafikantët. Derisa ky raport të ndryshojë, Shqipëria nuk mund të hapë negociatat me BE”,- tha ai.
Në mbledhjen e Komisionit për Marrëdhëniet me jashtë në Parlamentin Europian ndër të tjera u diskutua çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar. Përfaqësuesja e Komisionit Angelina Eichorst u shpreh se i është kërkuar autoriteteve shqiptare të hetohen autorët për përdorimin e forcës dhe ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve. Ndër të tjera, përfaqësuesja e Komisionit theksoi se “shembja e Teatrit që nuk duhet të ndodhte, nuk duhet të heqë vëmendjen nga sfidat për të çuar përpara ngjarjen tjetër më të rëndësishme të muajit mars” duke iu referuar reformës zgjedhore.
Ndërsa eurodeputeti, Andrea Shile kërkoi më shumë bashkëpunim midis mazhorancës dhe opozitës. “Duhet të tejkalohet hendeku i thellë në shoqëri. Ky hendek u pa te prishja e Teatrit. Duhet të instalohet një kulturë e re politike ku duhet të pranohet se opozita duhet të pranojë vendimet e mazhorancës dhe mazhoranca duhet të dëgjojë opozitën”,- tha Shile.
I ashpër në qëndrimet e tij ka qenë dhe eurodeputeti francez Thierry Mariani, i cili u shpreh se politikat që po ndjek aktualisht Shqipëria drejt anëtarësimit në BE nuk janë të duhurat dhe të njëjta me ato të unionit. Ai foli për ndikim turk në qëndrimet e qeverisë së Shqipërisë.
“Ne jemi kundër zgjerimit të BE dhe pyetja tani është për Shqipërinë përsa i përket instrumenteve përpara zgjerimit. Shqipëria është një pikë qendrore e influencës turke në rajon. Dua të përmend 5 mësues në mars në Kosovë të cilët u rrëmbyen dhe u dërguan në Turqi. Inteligjenca turke kishte edhe partnerë shqiptarë. Ne nuk mendojmë që politikat që kanë zgjedhur këto momente janë të duhura dhe ato të njëjta me BE. Duhet të tregohemi më të ndershme përsa i përket Shqipërisë”,- tha Mariani.
Kryetarja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera në lidhje me Reformën Zgjedhore, tha se palët politike duhet të vijojnë më tej me dialogun mes tyre për të çuar përpara reformën.
”Për shembjen e Teatrit Kombëtar, na vjen keq për atë akt dhe kërkuam që të kishte dialog. Ne vijojmë të bëjmë thirrje se duhet të ruhet trashëgimia kulturore, por gjithashtu duhet edhe të zbatohet ligji. Shqipëria duhet të avancojë edhe më tej në dialogun për të vijuar përpara me reformën zgjedhore. Ajo që shpreh delegacioni ynë në Tiranë është ajo që ne duam.
Presim që të diskutojmë në Këshill për sa i përket këtyre pikave që Shqipëria duhet të përmbushë. Për çështjen e Reformës në drejtësi, duam të shikojmë një staf shumëngjyrësh. Jemi duke mbështetur Shqipërinë për ripërtëritjen e ekonomisë. Kushtet janë shumë të rëndësishme që të plotësohen”, u shpreh Genoveva Ruiz Calavera.