Kosova dhe tensionet me Serbinë, Mediu: Të ridimensionehet roli i Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu flet për tensionet Kosovë-Serbi, kjo pas barrikadave. Për të qëndrimi i institucioneve shqiptare ka qenë i papranueshëm. Ai thotë edhe se Kushtetuta ka përcaktuar se për çështje të sigurisë kombëtare pa dyshim që duhet thirrur Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
“Qëndrimi i shtetit shqiptar është absurd. Lidershipi shqiptar duhet të kuptojë që pozicionet që kanë në krye të shtetit, në krye të ekzekutivit apo diku tjetër, nuk janë pozicione individuale por kushtetuese. Dhe Kushtetuta e ka përcaktuar qartë si primar interesin kombëtar.
Kushtetuta ka përcaktuar se për çështje të sigurisë kombëtare pa dyshim që duhet thirrur Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Unë e kuptoj skepticizmin për këtë institucion pasi është zhvlerësuar së fundmi dhe ne duhet të mendojmë seriozisht për të pasur një strukturë e cila duhet patjetër të gjykojë çështjet e sigurisë, të thithë informacionin e plotë, ta kthejë atë në politika dhe vendimmarrje.
Ne nuk kemi vendimmarrje institucionale por individuale dhe ecim me qëndrime të cilat janë të papranueshme. Qëndrimi i qeverisë shqiptare se atje në Veriun e Serbisë ishin disa kriminelë serbë që bllokuan rrugët dhe duhet zgjidhur me dialog është një qëndrim absurd pa kuptim. Vuçiç dilte 3 herë në ditë duke e parë si një çështje politike, të ndërtuar dhe organizuar nga Beogradi. Është e papranueshme gjithashtu që ne nuk e shtrojmë çështjen në NATO. Për të bërë fotografi jemi anëtarë të NATO-s”, tha Mediu.