Kosovarët festojnë pavarësinë në Shqipëri, shpresë tek qeveria e Kurtit

Të shumtë janë shqiptarët e Kosovës që 12-vjetorin e Pavarësisë kanë zgjedhur ta festojnë në Shqipëri. Ka nga ana që kanë preferuar të rikthehen në familjet shqiptare që i pritën në shtëpitë e tyre në kohën e luftës me Serbinë. E tillë është edhe një familje nga Kosova e cila po shkon drejt Kukësit, aty ku i kanë pritur kur i kanë ikur luftës. Në pikën kufitare të Morinës, të gjata janë radhët e krijuara të automjeteve, e megjithatë kjo nuk duket një pengesë.

“Shumë gjë normale është kjo, duhet edhe në shqiptarët të mësojmë të presim”, thotë një shtetas i Kosovës i cili jeton në Gjermani. Të tjerë thonë se kufiri duhet të hiqet ose të lehtësohen edhe më tej procedurat, dhe këtë e shpresojnë ta realizojë kryeministri i ri, Albin Kurti. “Tepër kemi duruar për këtë vit. duhet që sot me u heq, s’ka dashur të jetë kurrë ky kufi, Ne jemi të lidhur në mënyrë natyrore, një babë kemi”.

“Është hequr kufiri, nuk po shoh probleme, gati jemi bashkuar dy shtetet”. “Jam i bindur që ka me u heq shpejt kufiri”. “Qeveria e re me Albin Kurtin do ta sjellë Kosovën e Shqipërinë mbarë”, shprehen disa nga banorët, megjithëse për shumë të tjerë është herët për të folur për qeverinë e re të Kosovës. Të tjerë shfaqen mjaft entuziastë dhe besimplotë se ky 12-vjetor i pavarësisë do të jetë i mbari nën udhëheqjen e Albin Kurtit. “Ja ka me drejtu ai, ja nuk ka burrë shqiptar që drejton. Ai Albin Kurti”, thotë një qytetar i Kosovës. “Ky përvjetor vjen me gjithë të mirat, jemi çliruar prej shkaut, falënderojmë dëshmorët”, thotë një tjetër.

Në radhët e tyre, të cilët vijnë në Shqipëri jo për të festuar, por për punët e tyre, ka edhe nga ata që nuk besojnë tek asnjë qeveri. “Shteti është duke shkuar mbrapsht, e kemi humb pavarësinë”. “Këtë pavarësi e kemi pritur me qindra vjet. Ende nuk po e shijojmë pavarësinë e plotë të shtetit, uroj që ky vit t’i përcjellë të gjitha sukseset e mëtejshme”, thonë disa shqiptarë të Kosovës. /reporttv/

SHKARKO APP