Kosova:Të vijë ta përurojë Edi Rama, vetëm të bëhet Terminali

 

Kandidati për kryebashkiak, Halim Kosova, takohet me banorët e zonës ku do të ndërtohet Teminali Multimodal, projekt i bllokuar nga qeveria. 1 mijë vende të menjëhershme pune, dhe mijëra tonë gaz karbonik që ikin nga qyteti

Bashkëbisedimi i plotë me qytetarët i z.Kosova

Jemi në momentet e fundit të përfundimit të programit, të projektit për të vazhduar, për ta kthyer Tiranën në një qytet modern europian dhe çdo diskutim, çdo pyetje që qytetarët e Tiranës me kanë bërë në të gjithë cepat e saj, është hedhur në tavolinë, për një zgjidhje konkrete të shpejtë dhe shumë të prekshme për qytetarët. Ne sot jemi këtu në një investim të domosdoshëm dhe të munguar. Në një sipërfaqe rreth 35.000 m2 e cila do të ofrojë një shërbim siç është ai i transportit të mirëharmonizuar, të mirëkoordinuar, siç është ai i stacionit të trenit, stacionit të tramit, midis linjave të autobuzave si jashtë qytetit dhe brenda tij, të fugonave 8+1, të taksive, llogariten rreth 2500 taksi, dhe të gjitha këto do të sjellin një përmirësim të dukshëm në jetën e përditshme të qytetit.

Ky terminal i parametrave europianë, me plot gojën mund ta quajmë një investim të munguar, i është ofruar prej dy vjetësh Tiranës dhe këto dy vite, thjesht nga xhelozira politike, ky nuk po zbatohet dhe s’po gjen mundësitë që të ofrohen rreth 1000 vende pune që në momentin e parë, t’i pakësohen qarkullimit në qytet rreth 220 autobuzë, nga ana tjetër të përmirësohet cilësia e ajrit në qytet, ku në disa zona është shumë i ngarkuar, rreth 6 ton gaz karbonik nuk do jetë më prezent në qytet, gjithashtu rreth 2500 litra naftë s’do digjen më. Por kur unë them që do sjellë këto përmirësime në qytetin e Tiranës, absolutisht nuk kam në mendje që ne do sakrifikojmë një zonë tjetër për hir të qytetit. Kësaj zone me gjithë këtë ngarkesë, do ti bëhet parandalimi dhe do llogariten se sa pemë, sa gjelbërim, çfarë duhet që të eliminohen të gjitha gazrat që do shkarkohen këtu.

Unë sot jam këtu për pyetje përgjigje, që të sqarohemi se ku qendrojnë problemet, çfarë ju mendoni për të ardhmen e kësaj zone që sigurisht me këtë stacion do ti japë një zhvillim të ri kësaj zone, sepse përveç terminalit do ketë edhe shumë zhvillime të tjera që janë të parashikuara dhe kjo qendër bashkëkohore kaq e rëndësishme për qytetin do prodhojë, do ndihmojë edhe ekonominë e Tiranës. Gjithashtu do të ndikojë në heqjen e stresit për pasagjerët, nga ndalesat vend e pavend duke rrezikuar dhe për aksidente.

Për momentin kjo llogaritet që do ndihmojë 60.000 udhëtarë në ditë. Kështu që, këto kondita bashkëkohore të munguara janë në prag të fillimit të punimeve, dhe Bashkia e ardhshme e Tiranës do bëjë të mundur që asnjë minutë të mos vonohet ky projekt kaq i domosdoshëm për qytetin, për qytetarët dhe të gjithë bashkë.

Të gjithë së bashku t’i përvishemi punës që pas datës 21 qershor t’i japim jetë këtij projekti kaq madhështor për qytetin.

Pyetje: Për më shumë se dy vjet, Terminali Multimodal është i bllokuar nga kryeministri aktual Edi Rama. Me ardhjen tuaj në Bashkinë e Tiranës, si do ta zgjidhni? Si do ta zhbllokoni këtë terminal?

Në qoftë se ju e keni vënë re, kur unë bëj biseda ose takime të ndryshme me qytetarët, theksoj një diçka, këtë eksperiencë e kam nga menaxhimi i sistemit shëndetësor, që shumë gjëra të vlefshme madhore, shumë rezultate të mëdha për shëndetin e qytetarëve, pacientëve dje dhe sot të qytetarëve, vijnë duke bërë gjëra të vogla, të thjeshta në dukje, por që po t’i bashkosh të gjitha bashkë na çojnë aty ku duhet. Ky projekt është jashtëzakonisht madhështor. Kur e kam parë kur e prezantoi z.Basha kam thënë sa mirë që në Tiranë do bëhej një gjë e tillë, pa menduar se një ditë ky projekt do vinte në duart e mia, sepse nuk e mendoja kurrë që do bllokohej për kaq kohë. Cila është rruga që me gjëra shumë të thjeshta ne të fitojmë projekte kaq të mëdha për qytetarin. Pa diskutim që barrë është lufta politike dhe ky është një shembull tjetër pas Bulevardit dhe shumë e shumë gjëra të tjera, se si politika duke bërë debate dhe konflikte të panevojshme krijon probleme që janë në kurriz të qytetarit. Unë mendoj që ky projekt të realizohet duhen tre gjëra shumë të thjeshta. Duhet një tabaka, duhen një palë gërshërë sipër, duhet dhe një shirit, blu a lejla a të kuqe ska rëndësi fare se çfarë ngjyre, dhe një për ta prerë. Këto të treja kaq të thjeshta, le ti marrë kush të dojë, e kam deklaruar edhe herë tjetër, mjafton që asnjë minutë të mos humbim për realizimin e këtij projekti.

Pyetje: Ndërtimi i Stacionit Multimodal kushton rreth 40 milion dollarë, ndërkohë që ju keni premtuar ulje taksash, si do e financoni këtë terminal, ku do i gjeni paratë për ta ndërtuar?

Z.Basha e ka deklaruar që ky është një projekt që financohet nga marrëveshja ku investimi është nga Banka Europiane për Zhvillim. Asnjë qindarkë e taksave që paguajnë qytetarët në Bashki nuk del për t’u investuar në këtë projekt. Përkundrazi, në mbarim të këtij projekti nga kjo marrdhënie publik-privat, janë qytetarët e Tiranës që me shërbimet që do krijohen brenda këtij Terminali dhe me shumë vlera të tjera që ka ky Terminal, do të jenë përfituesit real të këtij investimi kaq të madh.

Pyetje: Ju z.Kosova, si do të bëni marrëveshje me pronarët e tokës për këtë investim kaq të madh?

Unë e kam deklaruar edhe tek investimi i Bulevardit te Madh, sado të rëndësishme të jenë këto projekte për qytetin e Tiranës, sado përfitime të ketë qyteti i Tiranës, në asnjë mënyrë nuk duhet shkelur pronari, prona e së cilit bie në këto projekte dhe asnjë pronar, aty ku projekte të tilla do vinë të zbatohen për të mirën e qytetit, nuk do e konsiderojë veten fatkeq por do e konsiderojë veten fatlum që në pronën e tij kalojnë projekte kaq të rëndësishme ku dhe ai vetë do të jetë përfitues në shifra që nuk ia kishte marrë mendja. Pra tre hallka janë të rëndësishme që asnjërit mos ti ngelet qejfi në këtë marrëdhënie. E para, do respektohet pronari maksimalisht. E dyta, do i vihet qytetarit në ndihmë dhe e treta do koordinojmë që çdo lloj marrëdhënie midis privatit që do bëjë ndërtimin dhe pronarit, të jetë e pëlqyeshme nga të dyja palët. Në punën time, gjithmonë kam caktuar objektiva, për ato objektiva i kam përllogaritur mirë afatet dhe kontrolli im ka qenë jashtëzakonisht rigoroz në çdo hap të realizimit të tyre dhe kjo më ka bërë që çfarë kam thënë, e kam bërë. Dhe kjo ka bërë që njerëzit, ju dhe shumë e shumë të tjerë të keni besim tek unë për menaxhimin dhe drejtimin e qytetit të Tiranës.

 

Cili është ndikimi në mjedis i ndërtimit të këtij Terminali?

Ndërtimi i këtij Terminali me gjithë aktivitetin e tij brenda, pavarësisht rezultateve pozitive për qytetin, duke pakësuar ndotjen që ekziston, nuk do të thotë që ne të dëmtojmë një vend tjetër që të na kthehet në problem. Në çdo vend ku të dhënat tregojnë se ndotja është mbi nivelet e caktuara, siç do parandalojmë që edhe kjo zonë të kthehet në të tillë, unë mendoj shumë thjesht të vëmë aparate matës në çdo kend të këtyre zonave dhe këtij terminali që të na orientojnë në kohë për çdo tejkalim norme, për të marrë masat. Unë vij nga sektori shëndetësor por e di shumë mirë që parandalimi është gjëja që kushton më pak dhe ka vlera të jashtëzakonshme për shëndetin e njeriut. Këto metoda parandaluese që unë i kam zbatuar në zanatin tim absolutisht do ti vë në shërbim të qytetarëve e banorëve të Tiranës kudo që ata banojnë.

Jam banor i këtij kompleksi jemi 600 familje dhe deri më sot jemi pa kujdestari, për hallet që kemi, për hipotekat. Çdo bëhet me ne?

Unë kam deklaruar se në këtë qytet, në këtë kryeqytet në të gjitha komunat dhe fshatrat bashke halli i njërit do të jetë edhe halli i bashkisë. Këtë do ta bëjmë nëpërmjet strukturave që unë do të kem përkrah meje. Në Bashkinë e ardhshme është vënë në strukturë që të jetë një zyrë me juristë shumë profesionistë, që çdo hall të qytetarit me pronën, me hipotekën, me problemin që mund të ketë edhe me qeverinë, ta trajtojë, t’i japë zgjidhje. Do të jetë një vend ku do të do të komunikohet me qytetarin, do të dëgjohet problem i tij dhe do ti jepet drejtim. Mbajeni mend që ky komunikim do jetë perfekt. Kur unë arrita ta bëj ketë për 2 muaj para zgjedhjeve si Ministër Shëndetësie, me problem si jeta e fëmijës tim varet nga ty, nuk ka sallë operacioni, nuk ka ilaçe, pra siç ia dola asaj pa heq nga vemendja bashkëpunimin me qytetarin, sepse jam i sigurtë që çdo qeveri, çdo individ, çdo kryetar bashkie në qoftë se shkëputet nga hallet e qytetarëve është i humbur  pa filluar akoma pune, kështu ju premtoj që siç e kam bërë 15 vjet sektorin shëndetesor, të njëjtën gjë do ta bëj jo më për 3 milion siç isha në shëndetësi, por për 1 milion banorë. Kryebashkiaku nuk është qytetari i parë i qytetit. Kryebashkiaku është njeriu i parë që merr përgjegjësi për t’i shërbyer qytetarëve.

 

SHKARKO APP