Kosovë: Shtim i sulmeve ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton se gjatë vitit 2023 sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë shënuan rritje. Në raport analizohen korniza ligjore, gjendja e gazetarëve në punë, si edhe siguria e tyre.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), prezantoi raportin vjetor me titull “Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve dhe Indeksin e sigurisë së gazetarëve”, ku konstatohet, se viti 2023 shënoi rënie të sigurisë dhe rritje të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë. Sipas gjetjeve të këtij raporti, Kosova ka përjetuar një rënie të paparë më herët, sa i përket lirisë së medies dhe sigurisë së gazetarëve. Krahasuar me vitin 2022, ku janë raportuar 33 raste, numri i sulmeve ndaj gazetarëve është rritur në 41, duke e bërë vitin 2023 vitin me numrin më të lartë të shkeljeve të lirisë së medies dhe sulmeve ndaj gazetarëve, thuhet në raport.

Sulme verbale, fizike, autocensurë

“Gazetarët që raportuan në komunat veriore janë përballur me kërcënime për jetën, sulme verbale dhe fizike, si dhe dëmtim të pronave personale dhe profesionale. Gjithashtu, në qershor, qeveria ndërmori hapa për të revokuar licencën e operimit të një prej televizioneve më të mëdha kombëtare, Klan Kosova. Rishikimi i licencës erdhi si pasojë e gjetjeve në dokumentacionin e korporatës pronare nga Ministria e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë. Organizatat e shoqërisë civile vendore, në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në Kosovë, arritën ta parandalojnë këtë vendim nga zbatimi; megjithatë, kjo paraqet një kërcënim të paprecedent për lirinë e medies në Kosovë”, thuhet në raport. Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se autocensura vazhdon të jetë e përhapur, mirëpo pluralizmi mediatik i lejon gazetarët që të gjejnë vende të reja pune. Sipas saj, ashpërsia e kërcënimeve ndaj gazetarëve është rritur megjithëse rastet e raportuara mund të mos përfshijnë plotësisht shtrirjen e kërcënimeve jofizike, ngacmimeve posaçërisht atyre në internet.

“Gazetarët gra konsiderojnë se kushtet e tyre dhe pozita në dhomën e lajmeve është përmirësuar dhe kanë mundësi të barabarta në role menaxheriale për dallim me vitet e kaluara, mirëpo ato vazhdojnë ende të përballen me sfida në vendet e punës dhe një nga sfidat e identifikuara gjatë vitit 2023 kanë qenë edhe ngacmimet e shpeshta seksuale”, tha Mulliqi.

Në raport theksohet, se gazetarët përballen me kushte të vështira të punës, përveç kërcënimeve, sulmeve dhe linçimeve, thekson Leonita Morina, një ndër hulumtueset për përgatitjen e raportit të AGK-së. “Paga të ulta, mungesa e kontratave, mungesa e mbulimit të sigurimit shëndetësor janë disa nga sfidat që gazetarët janë përballur edhe viteve të kaluara por kanë vazhduar të përballen edhe gjatë vitit 2023. Rreth 25 për qind të gazetarëve kanë kontrata me afat të caktuar dhe shumica e gazetarëve punojnë me kontrata të përkohshme apo punojnë pa kontrata fare”, shton Morina.

Në  rekomandimet e raportit të AGK-së, u theksua nevoja që “gazetarët t’i raportojnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, bashkëpunim më i mirë i institucioneve të Republikës së Kosovës me mediet, si dhe të krijohet sa më shpejt Sistemi i Menaxhimit të Lëndëve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) për rastet e gazetarëve.

Ambasada gjermane në Prishtinë, pas publikimit të raportit të AGK-së, tha se “siguria e gazetarëve është jetike për çdo demokraci”, duke e vlerësuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës që bën monitorimin nga afër të zhvillimeve në Kosovë. “Ndërkohë që i afrohemi zgjedhjeve të ardhshme, është më e rëndësishme se kurrë të sigurohemi që mediet dhe gazetarët të mund të operojnë lirshëm, pa asnjë ndërhyrje apo presion. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është një gur themeli i demokracisë, dhe ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë për ta mbrojtur atë”, shkroi ambasada gjermane në profilin e saj social.

Organizata ndërkombëtare siç janë, “Reporterët Pa Kufij”, në raportin e vitit të shkuar e renditi Kosovën 19 vende me poshtë sa i përket lirisë së medieve, indeks ky që shënon kthim prapa dhe përkeqësimin më të rëndë të lirisë së medies në vitet e fundit. Ndërsa, organizata tjetër “Freedom House” në raportin e saj, konstatoi se “pavarësisht që Kosova ka një mjedis të larmishëm mediatik, në përgjithësi liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë disi e kufizuar, ndërsa, shumë media sipas raportit “hezitojnë të përfshihen në mbulim kritik për qeverinë”./DW/

SHKARKO APP