Kostandin Xhuvani u kap apfër vendit ku ndodhi masakra, me pistoletë në dorë
Burime të policisë së Tiranës thanë se djali i deputetes u kap pak metra larg lokalit ku ndodhi masakra, afër makinës Mercedes – Benz ML ku gjendej i vrarë me një plumb në kokë 19 –vjeçari Arbër Demiraj. 25 –vjeçari Kostandin Xhuvani ka bërë rezistencë. Edhe Dy të tjerët, Erald Sida 24 vjeç dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç u kapën më afër lokalit ku ndodhi masakra. Veç këtij fakti të gjetjes së tyre pranë skenës së krimit, burime të policisë bëjnë me dije për lapsi.al se ka prova të tjera të pakundështueshme që provojnë autorësinë e tre të rinjve në vrasjen e Arbër Demirajt, Edison Jahos, Enea Xhaj dhe arkitektit italian Paolo Azzola. Por të paqarta mbeten motivet e krimit dhe dinamika e ngjarjes. Policia thotë se gjithçka ndodhi pas një sherri të momentit. Zyrtarisht njoftoi se u gjetën në vendin e krimit 2 pistoleta. Por nuk është ende e qartë nëse është qëlluar me këto armë dhe kush i ka përdorur ato.
Vrasjet në Tiranë, flet dëshmitari: Dëgjova tre të shtëna në lokal..
Një telefonatë e një personi ndaj policisë, ka bërë të mundur tre autorët e dyshuar për vrasjen e katërfishtë në kryeqytet të bllokoheshin.
Një nga dëshmitarët e ngjarjes së rëndë në kryeqytet, në një intervistë për Ora News tregon se vrasja është shënuar rreth orës 04:20 të mëngjesit.
Ai tregon se ka dëgjuar 3 të shtëna me armë brenda lokalit të natës në rrugën e Elbasanit, përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Dëshmitari tregon se 3 të dyshuarit si autorë të vrasjes, mes tyre dhe djali i deputetes Luiza Xhuvani u kapën nga blutë matanë lokalit, tek tabela, teksa tentonin të iknin.
Dëshmia e plotë
“Unë sa kisha ardhur këtu. Sa lashë biçikletën aty në cep dhe kërciti. Pastaj kërciti arma, tre herë më duket se kërciti.
Pastaj doli njëri jashtë dhe më duket se mori policinë. U bënë shpejt, erdhi policia. Ata donin të iknin dhe i bllokoi policia matanë ku është tabela. Ka qenë ora 04:20″.
Vriten 4 persona në një lokal, dyshohet se u ekzekutuan nga djali i deputetes Luiza Xhuvani
4 persona u ekzekutuan në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në një lokal pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, në rrugën e Elbasanit, në Tiranë. 4 viktimat, mes tyre një shtetas Italian, janë qëlluar gjatë një përplasje me armë zjarri, për motive ende të paqarta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:00. Viktimat janë Arbër Demiraj, 19 –vjeç, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, Edison Jaho, vjeç 36, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Enea Xhaj, vjeç 38, lindur në Berat dhe banues në Tiranë Paolo Azzolo, 60 vjeç me shtetësi dhe kombësi italiane.
I dyshuari kryesor si autor i kësaj ngjarje është Kostandin Xhuvani, djali i deputetes së Partisë Socialiste, Luiza Xhuvani, një person me precedentë penalë, i cili në vitin 2001 kreu një vrasje dhe u dënua vetëm me 2 vjet burg. Emri i tij u publikua nga policia në muajin maj si një ndër personat që qëllonte kundër forcave të rendit në Lazarat. Dy persona të tjerë janë ndaluar gjithashtu si të dyshuar, Erald Sida 24 vjeç dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç.
Policia sekuestroi dy pistoleta në vendin e krimit. Mësohet se Arbër Demiraj është qëlluar me një plumb në kokë. Ai u gjet i vrarë në një makinë jashtë lokalit. Ndërsa italiani Azzolo ka mbetur fillimisht i plagosur dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Policia po heton për të zbuluar motivet e vrasjes. Disa burime bënë të ditur se janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë të përfshirë në konflikt.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË SË TIRANËS
Ditën e sotme rreth orës 04:00 shërbimet e policisë morën njoftim se në bar “Ante Grand”e ndodhur në rrugën e “Elbasanit” në Tiranë në një lokal nate, ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar shërbimet e policisë duke bërë rrethimin e lokalit, të zonës përreth, shoqërimin e personave prezent në vendngjarjes. Nga hetimi paraprak ka rezultuar se në këtë lokal nate pas një konflikti të çastit midis disa shtetasve, konflikt i cili më pas ka denigruar me armë zjarri, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen 4 shtetas:
1. Edison Jaho , vjeç 36, lindur në Berat dhe banues në Tiranë.
2. Enea Xhaj , vjeç 38, lindur në Berat dhe banues në Tiranë.
3. Arber Demiraj, 19 vjec, lindur dhe banues në Tiranë.
4. Paolo Azzolo, 60 vjec, me shtetësi dhe kombësi italianë.
Menjëherë në vend ngjarje, ka mbërritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë kriminalist, oficerët për Krimet e Rënda, Prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët administruan dhe sekuestruan provat në vendin e ngjarjes.
Nga veprimet e shpejta të policisë është bërë kapja në kohë reale e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, të cilët janë shtetasit :
Konstandin Xhuvani, 25 vjeç,
Erald Sida 24 vjeç
Albano Ballcaj, 19 vjeç, si dhe janë shoqëruar shtetas të tjerë prezent në ngjarje.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të llojit pistolete, 3 gëzhoja fishekësh luftarak si dhe dy automjete të markës Mercedes Benz me targa “TR0250N”.
Aktualisht, nga strukturat e policisë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
KOHA JONË SONDAZH

