KPA rrëzon KPK-në, rikthen në detyrë gjyqtarin e Apelit të Tiranës
KPA ka rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ka rikthyer në detyrë gjyqtarin Fatri Islamaj.
Gjyqtari i Apelit të Tiranës ishte shkarkuar nga KPK-ja. Relatorja Valbona Sanxhakatari, gjatë një seance dëgjimore tha se raporti i ILDKPKI-së për gjyqtarin Fatri Islamaj evidentonte deklarim të pasaktë të pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme. Gjithashtu sipas Inspektoriatit, Islamaj kishte kryer deklarim të rremë, por nuk ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit.
Hetimi i KPK-së për Fatri Islamajn u fokusua tek blerja e një apartamenti me sipërfaqe 144.5 m2 në Tiranë si dhe transaksionet me disa makina, të cilat u konsideruan me probleme.
Lidhur me apartamentin, relatorja Sanxhaktari tha se ishte blerë në vitin 2016 në vlerën e 10.5 milionë lekëve, i financuar 100% nga banka Credins.
“Nga hetimi duket se subjekti e ka blerë pasurinë apartament me çmim preferencial dhe se është favorizuar nga banka në marrjen e kredisë,” konstatoi Sanxhaktari në seancë.
Duke e bërë të qartë që në fillim se do të ndalej gjatë në shpjegimet e tij, Islamaj tha se zotëron pasuri neto gjithsej në vlerën 3.4 milionë lekë dhe se të ardhurat e tij janë 21 milionë lekë.
Islamaj i kundërshtoi gjetjet e Komisionit lidhur me apartamentin në Tiranë. Ai tha se nuk ka trajtim preferencial, pasi vlera për metër katror është rreth 10 mijë lekë më e lartë nga çmimi i tregut. Ai shtoi se apartamenti nuk është përfunduar ende, pasi nuk ka vendosur të jetojë aty si pasojë e rritjes së ndotjes akustike dhe mjedisore. Ai kundërshtoi edhe pretendimet për trajtim preferencial nga banka, me argumentin se nuk kishte shqyrtuar asnjë çështje të këtij subjekti.