KPA vendos për Luan Dacin: Nga sot është i pezulluar
Kolegji i Posacëm i Apelimit ka vendosur që të pezullojë sot nga detyra gjyqtarin Luan Daci. Përmes një njoftimi për mediat, KPA bën me dije se Daci nga sot nuk mund të marrë asnjë vendim pasi është i pezulluar. Shkalla e dytë e Vetting-ut, shkruan se në funksion të ushtrimit të veprimtarisë normale të tij, duke respektuar pavarësine dhe paanësinë e organeve proceduese, si dhe parimin e prezumimit të pafajësisë për gjyqtarin Luan Daci, u kërkon organeve proceduese të vijojnë me një proces të shpejtë, në përputhje me parashikimet e ligjit.
NJOFTIMI I PLOTË
Pas vënies në dijeni nga vetë gjyqtar Luan Daci, për marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua sot Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila me vendimin nr. 14, datë 24.07.2020, në zbatim të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi: Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në funksion të ushtrimit të veprimtarisë normale të tij, duke respektuar pavarësine dhe paanësinë e organeve proceduese, si dhe parimin e prezumimit të pafajësisë për gjyqtarin Luan Daci, u kërkon organeve proceduese të vijojnë me një proces të shpejtë, në përputhje me parashikimet e ligjit.