KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Edlira Petri

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Edlira Petri kalon me sukses vettingun dhe konfirmohet në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Xhensila Pine anëtare, pasi e hetuan në të tri kriteret: deklarimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, vendosën ta konfirmojnë Petrin.

Gjetjet e KPK-së gjatë seancës dëgjimore u fokusuan tek pasuritë e bashkëshortit të Petrit, Sokol Sadushi, i zgjedhur së fundmi anëtar i Gjykatës së Lartë.

Komisioni nuk identifikoi probleme në pasuritë e zotëruara 100% nga gjyqtarja Petri, konkretisht për një autoveturë tip Benz të blerë në vitin 2009 në vlerën 600 mijë lekë, depozitat bankare dhe llogaritë rrjedhëse në emër të saj. Relatorja Sanxhaktari tha gjithashtu se subjekti ka pasur burime të mjaftueshme për shkollimin e vajzës së saj në një institucion arsimor jo-publik.

Hetimi është shtrirë gjithashtu edhe mbi shtëpinë e prindërve të gjyqtares, e deklaruar prej saj si adresë banimi në vitet 2003-2009. Sipas relatores Sanxhaktari, ka mospërputhje në dëklarimin e një shtese prej 85m2, që sipas ALUIZNI-t ishte ndërtuar në vitin 2006.

Sanxhaktari tha se subjektit të rivlerësimit i është kaluar barra e provës lidhur me shtesën në apartamentit e prindërve dhe se Petri ka shpjeguar se nuk ka lidhje me këtë gjë pasi nuk i është marrë mendim nga prindërit. Ajo ka deklaruar se ka qenë e ndarë ligjërisht nga prindërit prej vitit 1997, por se ka vazhduar të jetojë së bashku me ta deri kur ka lidhur kurorë.

SHKARKO APP