KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Tiranës, kandidat për SPAK

Nuk ka mundur të kalojë vettingun prokurori i Prokurorisë së Tiranës Ndini Tavani, i cili ishte kandidat edhe për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Vendimi për prokurorin Tavani ka marrë me shumicë votash, pasi një nga anëtarët e trupës gjykuese të përbërë nga Roland Ilia, Alma Faskaj dhe Brunilda Bekteshi ka qenë kundër.

Sipas relatores Bekteshi, prokurori deklaron si pasuri një apartament të blerë në vitin 2015 në vlerën e 4.5 milionë lekëve dhe për të cilin ka paguar 3 milionë lekë me burim pagën e tij dhe të bashkëshortes si dhe të kursimet nga puna si avokat para se të fillonte karrierën si prokuror.

Komisioni konstatoi përputhje të deklarimeve të prokurorit Tavani për këtë pasuri, por ngriti pikëpyetje mbi ligjshmërinë e të gjithë shumës prej 2.5 milionë lekë, e deklaruar e ardhur nga avokatia. Relatorja Bekteshi tha në seancë se të ardhurat nga puna si avokat janë vlerësuar si burim i ligjshëm, por Tavani ka dokumentuar me pagesë të detyrimeve tatimore shumën 1.6 milionë lekë dhe jo 2.5 milionë lekë.

Lidhur me këtë çështje, KPK ka marrë qëndrime të ndryshme nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Berat dhe Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve lidhur me fashën e të ardhurave. E para ka argumentuar se të ardhurat nga puna si avokat i përkasin fashës mbi 2 milionë lekë, ndërsa e dyta se nuk janë mbi këtë fashë.

Relatorja Bekteshi tha se Komisioni i kishte vlerësuar në harmoni të gjitha të dhënat dhe dokumentet dhe kishte arritur në përfundimin se subjekti nuk kishte pasur mundësi që të krijonte gjendjen cash prej 2.5 milionë lekësh para fillimit të punës në 2006-ën. Ajo shtoi se edhe në vitin 2012, analiza financiare rezultonte me diferencë negative prej rreth 600 mijë lekësh.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu pamundësi financiare për vitin 2016, kohë kur janë deklaruar si shpenzime blerja e një makine për 900 mijë lekë, pagesa e këstit të apartamentit si dhe shpenzimet për pushime. Diferencë negative ka rezultuar edhe në analizën financiare për blerjen e një makine Benz për 7 mijë euro në vitin 2009.

“Të ardhurat e siguruara nga avokatia dhe shpjegimet e subjektit janë ende duke u vlerësuar nga Komisioni,” tha relatorja Bekteshi.

Në fjalën e tij përpara Komisionit, prokurori Tavani deklaroi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për vlerën 2.5 milionë lekë nga avokatia, duke përmendur edhe të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës si dhe punën si ndihmës-avokat në vitet 2003-2004.

“Me të ardhurat e fituara si asistent-avokat kam mbuluar shpenzimet për periudhën 2002-2006 dhe pjesa tjetër nga puna si avokat dhe nga Shkolla e Magjistraturës kanë shërbyer për të krijuar gjendjen cash të deklaruar në vitin 2006, para fillimit të detyrës. Ju ftoj të ndryshoni rezultatin, pasi mua më rezulton 2.5 milionë lekë,” tha Tavani.

Ai kundërshtoi gjithashtu të kishte kontribuar në shtëpinë e prindërve, ku ka deklaruar si pjesë takuese 1/3 e pronës dhe shtoi se nuk kishte pasur asnjë pasuri para fillimit të detyrës si prokuror.

Subjekti kundërshtoi gjithashtu që prindërit e tij të konsideroheshin si persona të lidhur, ndërsa shtoi se ata kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për pasuritë e tyre.

“Kërkoj qasje pozitive të Komisionit duke paraqitur saktë të ardhurat nga avokatia dhe nga puna. Ftoj Komisionin të marrë në konsideratë deklaratën time veting,” pohoi në seancë Tavani.

SHKARKO APP